Lajme

Transporti publik falas, sa është i mundur në Evropë

Në një përpjekje për të reduktuar ngrohjen globale dhe për të kompensuar kostot në rritje të karburantit, gjithnjë e më shumë vende, qytete dhe rajone në Europë po e bëjnë transportin publik falas.

Vazhdimisht ekspertë dhe politikanë kanë bërë thirrje për ndryshime të mëdha në sektorin e transportit. Megjithëse pjesa më e madhe e motivimit për të nxitur sistemet e transportit publik vjen kryesisht nga dëshira për të frenuar ndryshimet klimatike, lufta në Ukrainë ka dhënë edhe një arsye tjetër: duke përdorur trenat, tramvajet dhe autobusët në vend të makinave, europianët do të reduktojnë konsumin e karburantit dhe, rrjedhimisht, edhe varësinë e kontinentit nga importet ruse të energjisë.

Dhoma e Ulët e Parlamentit të Gjermanisë, Bundestag, prezantoi një leje transporti mujore me një zbritje shumë të madhe, duke i lejuar njerëzit në Gjermani që të përdorin transportin publik rajonal për 9 € në muaj, për muajt qershor, korrik dhe gusht. Ligjvënësit thanë se shpresojnë që ky vendim do t’u kursejë njerëzve disa para dhe do t’i inkurajojë ata që të përdorin transportin publik, në vend që të ngasin makinat e tyre personale.
Vitin e kaluar, kompania shtetërore hekurudhore e Gjermanisë, Deutsche Bahn, regjistroi rreth 8 milionë pasagjerë në ditë. Me rënien e pandemisë së koronavirusit, shifrat e pasagjerëve pritet të rriten këtë vit.
Ndërkohë, edhe shtete të tjera europiane kanë nisur ose po planifikojnë të nisin me zbatimin e planeve të ngjashme, për të promovuar sistemet e tyre të transportit publik.

Luksemburgu

Luksemburgu është vendi i parë në botë që ofron transport publik falas në mbarë vendin. Që nga 1 marsi, askush nuk ka më nevojë që të blejë një biletë për të përdorur rrjetin e transportit publik të këtij vendi. Kjo vlen edhe për udhëtarët ndërkombëtarë dhe turistët e huaj, gjë që nuk është për t’u çuditur pasi rreth 45% e punonjësve udhëtojnë për në Luksemburg nga vendet fqinje.
Transportit publik falas për të gjithë është një hap i madh për shoqërinë, tha ministri i Transportit, Francois Bausch, duke shtuar se “qeveria dëshiron që Luksemburgu të bëhet një laborator për lëvizshmërinë”.
Me një popullsi që është rritur me 40% në dy dekadat e fundit, rritja e përdorimit të transportit publik do të ndihmonte në shmangien e trafikut në rrugët e Grand Duchy.
Deri më tani, nga ana e Ministrisë së Transportit të Luksemburgut nuk janë vënë në dispozicion shifra të saktë për pasagjerët. Në çdo rast, izolimet e koronavirusit, të cilat u aplikuan menjëherë pasi transporti publik u bë falas, ka të ngjarë të kenë reduktuar numrin e pasagjerëve. Autobusët, trenat dhe tramvajet e ndryshme publike të vendit financohen nga taksapaguesit.

Malta

Malta synon që ta bëjë transportin publik falas për të gjithë, duke filluar nga 1 tetori. Kjo do ta bënte atë vendin e dytë në Europë që heq tarifat e transportit për qytetarët dhe vizitorët.
Qeveria e Maltës e njoftoi këtë plan që në tetor të vitit 2021. Një nga qëllimet e nismës është që të dekurajojë banorët nga përdorimi i makinave.
Edhe në Maltë, programi financohet nga taksapaguesit. Nuk janë publikuar ende shifra të sakta në lidhje me kostot që pritet të ketë kjo nismë.
Banorët e Maltës duhet të aplikojnë për një biletë speciale që u jep të drejtën të përdorin autobusët dhe trenat falas. Edhe turistët mund të regjistrohen për këtë biletë.

Hasselt, Belgjikë
Ndërsa shtete si Luksemburgu dhe Malta po e bëjnë transportin publik pa pagesë, edhe disa qytete dhe bashki kanë filluar të ndërmarrin nisma të tilla. Një rast është qyteti belg i Hasselt, i cili u bë i njohur për ekspertët e transportit në mbarë botën pas vendimit të vitit 1997 për t’i bërë të gjithë autobusët dhe trenat pa pagesë.
Megjithatë zyrtarët e qytetit e kthyen këtë vendim në vitin 2013, duke përmendur kostot e rritura shumë. Banorët e Hasselt tani duhet të blejnë sërish bileta për transportin publik.

Talin, Estoni

Që nga viti 2013, të gjithë banorët e regjistruar të kryeqytetit të Estonisë, Talin, mund të udhëtojnë me autobusë dhe trena nëpër qytet, pa asnjë pagesë. Bashkia e aplikoi këtë nismë për shak se njerëzit e zakonshëm e kishin të vështirë të paguanin për biletat e udhëtimit kur goditi kriza financiare. Megjithatë, është nevojitur një pjesë e konsiderueshme e taksave për të mbështetur këtë skemë.
Deri më tani, sistemi ka funksionuar pa ndonjë problem të madh. Megjithatë, transporti publik mbetet një temë e diskutueshme në vend, thotë gazetarja estoneze Evelyn Kaldoja. “Njerëzit ankohen se ka shumë pak linja.” Kjo, thotë ajo, do të thotë se shumë pak persona zgjedhin transportin publik për të shkuar në punë.
Pavarësisht kësaj skeme, numri i makinave në rrugët e Talinit nuk ka rënë, thotë gazetarja. “Megjithëse transporti publik është falas, njerëzit që përdornin makina vazhdojnë ta bëjnë këtë.” Ajo mendon se rënie e përdorimit të makinave mund të ketë ardhur më shumë si pasojë e rritjes së çmimit të karburanteve. Shumë pjesë të Estonisë kanë ndjekur shembullin e kryeqytetit dhe e kanë bërë transportin publik falas.

Dunkirk, Francë
Në qytetin francez të Dunkirk, nisma për të ofruar autobusë dhe trena falas solli një reduktim të trafikut. Që nga viti 2018, banorët mund të udhëtojnë falas me transportin publik.
Një studim i kryer disa muaj pas kësaj nisme zbuloi se ajo kishte ndikuar në dekurajimin e vendasve për përdorimin e makinave të tyre. Edhe pse dy të tretat e të anketuarve thanë se më parë ishin të varur nga makinat e tyre, më shumë se gjysma deklaruan se tani po përdornin rregullisht autobusët për të lëvizur. Rreth 5% madje deklaruan se transporti publik falas i bëri ata që të shisnin makinën e tyre ose të mos blinin një automjet të dytë.

Ishujt danezë
Disa ishuj danezë e bënë përkohësisht transportin publik falas thjesht për arsye ekonomike. Lina Holm-Jacobsen, zëdhënëse e Visit Denmark, tha për DW se skema ishte krijuar nga qeveria daneze për të forcuar industrinë e turizmit pas izolimeve të koronavirusit.
Në verën e vitit 2020 dhe 2021, përdorimi i tragetit për të shkuar në këta ishuj ishte falas për udhëtarët pa makina. Kostot e biletave gjithashtu u ulën ndjeshëm gjatë sezonit të verës.
Tragetet, megjithatë, nuk janë pa pagesë në vitin 2022, por vizitorët mund të përfitojnë nga biletat e transportit publik me çmime të reduktuara. / Deutsche Welle