Kosova

“T`u japim një zë më shumë grave të përdhunuara në Kosovë”

Autorja e librit "Unë, e përdhunuara", Ramize Murtezi-Shala: Këto rrëfime duhet të dëgjohen dhe të shërbejnë si dëshmi për një dhunë shumë brutale të ushtruar nga pushteti i atëhershëm serb mbi gratë e vajzat shqiptare"

Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Universitetit të St. Gallenit ka organizuar të shtunën në ambientet e universitetit, një bashkëbisedim me gazetaren e njohur nga Kosova, Ramize Murtezi-Shala. “Gazetaria në Kosovë. Në kërkim të lirisë së shprehjes”, ka qenë motoja e këtij aktiviteti.

Zonja Murtezi-Shala, e nxitur nga moderatorja, Edona Elshani, studente e këtij universiteti, ka shtjelluar disa tema që lidhen me aktualitetin kosovar e më gjerë, në lidhje me shtypin dhe lirinë e tij, shkruan albinfo.ch.

 

Cili është pozicioni i gazetarit dhe në veçanti i gazetares në shoqërinë kosovare, sfidat nëpër të cilat po kalon ky profesion në Kosovë e në Ballkan në prizmin e asaj që quhet “kapje e shtetit”, kanë qenë disa nga pyetjet që të pranishmit i kanë drejtuar mysafires nga Prishtina. Murtezi-Shala, nga ana e saj, ka prekur disa nga vështirësitë me të cilat ballafaqohen gazetarët në Kosovë në këtë drejtim. Por, ajo ka nënvizuar se, në krahasim me regjionin dhe veçanërisht me shtetin fqinj, Serbinë, Kosova është në pozitë dukshëm më tüë mirë sa i përket lirisë së shtypit dhe të shprehjes.

Gazetarja dhe autorja nga Kosova, në prezantimin e saj ka vënë theksin në emisionin e saj me shikueshmëri të lartë “Udhët” dhe në punën që ajo me ka bërë rreth tij bashkë me ekipin që drejton. Ky emision bën gazetari hulumtuese dhe si rezultat i hulumtimeve të realizuara deri tash janë zbardhur një numër aferash dhe skandalesh që lidhen me keqpërdorime nga individë dhe institucione të shtetit, ka thënë veç tjerash gazetarja, duke përmendur rastet konkrete të zbuluara.

Një pikërëndesë tjetër e bashkëbisedimit me gazetaren Ramize Murtezi-Shala ka qenë edhe prezantimi i librit të saj “Unë, e përdhunuara”, të botuar pak kohë më parë, shkruan albinfo.ch. Autorja ka folur gjerësisht rreth procesit të shkrimit të këtij libri dhe për realizimin e emisioneve rreth kësaj teme që e kanë shoqëruar botimin e librit.

Bëhet fjalë për një projekt ambicioz, për realizimine të ciloit është bërë një punë e mundimshme. Në veçanti ballafaqimi me viktimat e përdhunimeve ka qenë shumë sfidues, ka theksuar autorja e librit. Ndërsa rrëfimi i nënës për vajzën e vogël, të përdhunuar dhe të vrarë ka qenë momenti më i tmershëm në përgjithësi, i përjetuar shumë rëndë nga ajo si nënë dhe si grua.

Por, ka shtuar gazetarja, këto rrëfime duhet të dëgjohen dhe të shërbejnë si dëshmi për një dhunë shumë brutale të ushtruar nga pushteti i atëhershëm serb mbi gratë e vajzat shqiptare. Për tu dhënë këtyre dëshmive një zë më shumë edhe në botën e jashtme, libri  “Unë e përdhunuara” është përkthyer ose është në prag të botimit edhe në gjuhë botërore si në gjuhën angleze, gjermane etj.