Kosova

U vonohen pensionet, veteranët e luftës paralajmërojnë protesta

Nëpërmjet një komunikate për media, veteranët e luftës  paralajmërojnë protestën për 14 nëntor, ditë e martë, në shenjë pakënaqësie me vonesat e pensioneve për disa muaj

Ish-guerilët e pensionuar të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar një protestë para institucioneve vendore, për të shprehur pakënaqësinë me vonesat e pensioneve. Nëpërmjet një komunikate për media, veteranët e luftës  paralajmërojnë protestën për 14 nëntor, ditë e martë.

Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot (e martë) me kryetarë të degëve, diskutoi rreth mospagesave për disa muaj të pensioneve për veteranët e luftës.

“Dhe pas shumë diskutimeve vendosi: të pritet edhe këtë javë për shkak të procedurave ligjore, në mënyrë që pagesa e pensioneve të kryhet; të thirret protestë për të martën me datën 14 nëntor ora 12:00 para institucioneve të vendit, ku me këtë rast do t’i ftojmë veteranët e luftës që sa më masovikisht të dalin në protestë për t’i realizuar të drejtat e tyre ligjore”, thuhet në komunikatë, transmeton albinfo.ch.

Kjo organizatë ftojmë Institucionet e vendit, që ta marrin seriozisht shqetësimin e ish-guerilëve, “sepse jemi të detyruar të veprojmë dhe situata mund të del jashtë kontrollit”.

Ndryshe, ish kryeministri Ramush Haradinaj ka premtuar se veteranët, pavarësisht disa vonesave do t’i marrin pensionet e tyre. Edhe pse numri i tyre është rritur dukshëm prapë qeveria e Ramush Haradinajt ka parashikuar buxhet për veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të e luftës së UÇK-së.