Lajme

Valët e të nxehtit do të bëhen “normaliteti i ri” në Zvicër

Klimatologu i ETH Zurich, Reto Knutti, paralajmëron se ndryshimet klimatike kanë rritur temperaturat me afro 3 gradë, duke i bërë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më të gjata.

Valët ekstreme të të nxehtit pritet të bëhen gjithnjë e më të zakonshme në Zvicër, si pasojë e ndryshimeve klimatike, paralajmërojnë ekspertët, përcjell albinfo.ch. 

Sipas klimatologut Reto Knutti nga Instituti Federal i Teknologjisë në Cyrih (ETH Zurich), periudhat me temperatura shumë të larta nuk janë një fenomen i ri, pasi kanë ekzistuar gjithmonë. Megjithatë, ndryshimet klimatike kanë ndryshuar ndjeshëm situatën.

“Temperaturat janë rritur me pothuajse 3 gradë Celsius. Si rezultat, pragu i valëve të të nxehtit tejkalohet më shpesh dhe këto periudha ndërpriten më rrallë”, ka deklaruar Knutti.

Ai theksoi se qytetarët duhet të mësohen me këtë realitet të ri, pasi valët e të nxehtit si ajo e qershorit nuk do të jenë më përjashtim.

“Së ardhmi, kjo valë e të nxehtit e qershorit nuk do të jetë një përjashtim, por normaliteti i ri”, u shpreh klimatologu./Albinfo.ch