Bota

Vasfije Krasniqi rrëfehet me lot para Kongresit Amerikan

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka raportuar sot para Kongresit Amerikan për dhunën seksuale që ka përjetuar atë kohë.

Me lot në sy, me zë thuajse të shteruar e me të dridhura në trup, Vasfija ka rrëfyer çdo detaj kur serbët e kishin marrë atë nga duart e nënës dhe e kishin dërguar në një vend tjetër për ta dhunuar.

Pas thuajse dy dekadash, ajo ka kërkuar që drejtësia të vihet në vend dhe të dënohen keqbërësit.

“Faleminderit shumë që më keni dhënë mundësinë për të ndarë storien time me ju. Në prill të vitit 1999, kur isha vetëm 16 vjeçe, policët serbë hynë në shtëpinë e familjes sime dhe po kërkonin babain dhe vëllezërit e mi, por kuptuan se ata nuk ishin aty. Isha me nënën time, tezen dhe dy kushërirat kur serbët kërkuan t’i shohin dokumentet tona. Kur shikuan tek dokumentacioni im, ai e mori atë dhe tha se unë duhet të shkojë në stacionin policor dhe në atë moment axhi im erdhi nga shtëpia dhe pyeti pse po e merrni vajzën tonë? Polici iu përgjigj se nëse ndokush lëviz, do të gjuajë në secilin prej nesh”, tha ajo, transmeton Indeksonline.

Tutje e njëjta tregoi se si ata e kishin marrë nga duart e nënës, e cila iu kërkoi atyre ta merrnin atë në vend të Vasfijes.

“Nëna ime i tha atij të marrë atë në vend timin. Policët serbë më morën nga duart e nënës sime dhe më çuan tek një vend tjetër, një shtëpi e pameremetuar në afërsi ku ishin serbët e tjerë, ku më pas tha se po merr hakun e Kosovës në mua. Më hodhën në një dysheme, bërtita, ai më dhunoi. Më kujtohet gjithçka. Unë  i kërkova të më vriste. Ai më tha jo, sepse kështu do të vuash më shumë. Çdoherë që unë bërtisja, ai më hidhte nga një serb në tjetrin. Pasi që kreu punë me mua, ai më mori dhe më la në një veturë, e dija që ishin të gjithë serbë aty dhe isha e frikësuar të lëvizja. Edhe të tjerët serbë që ishin në një market afër u afruan edhe ata dhe më quan përsëri në atë shtëpi. Aty më dhunoi një tjetër, ishte plak, unë vazhdoj ta kujtoj atë njeri. Pastaj më çuan në fshatin tim dhe më lanë në rrugë”, tha ajo.

Tutje ajo tregoi se pas dhunimit që iu bë, atë e dërguan në shtëpi, por që iu tha të mos u tregonte asgjë familjarëve.

“Nuk doja të shkoja më në shtëpi, sepse nuk doja t’u tregoja se çfarë ka ndodhur. Policët serbë më mësuan që t’iu them kam dëshmuar në stacion policor. Por kur arrita në shtëpinë e agjit tim, nuk kisha nevojë të flisja, sepse gjendja ime dihej”, u shpreh tutje Krsaniqi-Goodman, shkruan Indeksonline, përcjell albinfo.ch.