Koronavirusi: çast pas çasti

Numri i vdekjeve nga Covid 19 në Austri, ndër më të ulëtit në botë

Sipas ekspertit të shëndetit publik Armin Fidler, Austria ka arritur diçka të jashtëzakonshme në menaxhimin e krizës së koronës dhe është pothuajse unike në krahasim me vendet tjera ndërkombëtare.

Në Austri, numri i njerëzve që vuajnë aktualisht nga Covid-19  ka rënë përsëri në rreth 700 raste. Për shkak të zhvillimeve pozitive, veçanërisht qytetet ku pothuajse nuk kanë asnjë të infektuar, po bëjnë presion mbi qeverinë austriake për të liruar edhe më shumë masat e vendosura kundër përhapjes së pandemisë. Edhe vendet tjera në Evropë çdo ditë e më shumë janë duke i zvogëluar kufizimet, shkruan oe24.at, transmeton Albinfo Austria.

Sipas ekspertit të shëndetit publik Armin Fidler, Austria ka menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer krizën e koronës që është pothuajse unike në krahasim me vendet tjera në botë. Në fjalën e tij, Fidler përmendi në mënyrë të veçantë shkallën e vdekshmërisë nga Covid 19, e cila tha se është një nga më të ulëtat në botë. “Me 71 vdekje për milion banorë, ne jemi 30 për qind më mirë se Gjermania”, ka thënë ai.

Fidler thotë se marrja e shpejtë e masave drastike dhe disiplina e qytetarëve, ka bërë që Austria të kalojë kaq mirë pandeminë.

Gjatë një konference për media në Bregenz, ai ka thënë se për shkak të neglizhencës për të marrë masat e duhura, shumë shtete nëpër botë kanë numër të madh të infektuarve apo edhe rasteve vdekjeprurëse. “Qasja liberale e Suedisë ka sjell këtë vend në këtë gjendje që është tani, ku numri i të vdekurve aktualisht është pesë herë më i madh sesa në Austri”, ka thënë ai.

Sipas Ministrisë së Brendshme në Austri, 641 njerëz kanë vdekur si rezultat i virusit të koronës dhe 15.138 janë shëruar. 139 pacientë janë duke marrë trajtim spitalor, 31 prej tyre në njësi të kujdesit intensiv.