Lajme

Viktima e parë me koronavirus në Itali, mbi 17 të prekur

Shënohet viktima e parë italiane me koronavirus

Është regjistruar viktima e parë italiane me koronavirus. Thuhet se viktima eshtë një nga 17 italianët e prekur nga ky virus, i verifikuar një ditë më parë në rajonet Veneto e Lombardia, transmeton albinfo.ch.

Viktima është shtetasi italian Adriano Trevisian, 78 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në spitalin Schiavonia të Padovës.

Nga ana tjetër, Guvernatori i rajonit të Venetos, Luca Zaia, deklaroi se “spitali Schiavonia ku po kurohej viktima do të mbyllet e brenda 5-6 ditëve do të boshatiset e gjithë struktura”.

Komuna Vo Euganeo në Veneto ku jetonte viktima e ku është regjistruar dhe rasti i një tjetri italiani të infektuar nga koronavirus, me urdhër të Ministrisë së Shëndetit është vënë nën masa kufizuese me qëllim limitimin e zonës gjeografike të shtrirjes së virusit.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së kësaj komune i ka bërë thirrje banorëve të mos frekuentojnë vendet publike e të qëndrojnë nëpër banesa.

Ndër 16 italianët e infektuar, mes të cilëve dhe viktima, 5 janë punonjës shëndetësorë, mjekë, infermierë e sanitarë.