Kosova

Viti 2019 – Viti i Kosovës në futboll

Kosova e ka mbyllur një vit të suksesshëm, edhe pse kualifikimi nuk u arrit për “Euro 2020”, por mbetet edhe një rrugë që na dërgon atje. Tetë ndeshje kualifikuese dhe dy miqësore ishin në total sfidat, që i zhvilluan djelmoshat e Përfaqësueses së Kosovës përgjatë vitit 2019, ku morën katër fitore, tri barazime dhe tri humbje.

Ndonëse në tentim të parë nuk u arrit kualifikimi në kampionatin evropian “Euro 2020” përmes ciklit eliminator, Përfaqësuesja e Kosovës ishte mbresëlënëse përgjatë tërë vitit 2019. Tetë ndeshje kualifikuese për “Euro 2020”-shin dhe dy miqësore ishin në total sfidat, që i zhvilluan djelmoshat e Përfaqësueses së Kosovës përgjatë vitit 2019. Katër fitore, tri barazime dhe tri humbje është bilanci i djelmoshave të përzgjedhur nga Bernard Challandesi.

Ciklin eliminator për kampionatin evropian “Euro 2020” Kosova e mbylli me 11 pikë në vendin e tretë në grupin A pas kombëtareve me traditë si Anglia dhe Republika e Çekisë, por që “Dardanët” lanë pas vetes Bullgarinë, si dhe Malin e Zi.

Viti 2019 për Kosovën filloi me një barazim mbresëlënës 2-2 (ndeshje miqësore) me njërën prej kombëtareve më të mira në botë, Danimarkën, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ndërkaq ndeshja e fundit për këtë vit u zhvillua po ashtu në shtëpi “Fadil Vokrri” kundër Anglisë, ku u mposhtëm me rezultat 0-4, në një takim në të cilin rezultati nuk kishte rëndësi pasi ishte i pamundur kualifikimi, derisa mikpritja e madhe që u ishte bërë futbollistëve e tifozëve anglezë në Prishtinë bëri bujë të madhe në mediet e huaja.

Duke marrë parasysh lojën cilësore ekipore, por edhe atë individuale shumë futbollistëve të Kosovës u është ngritur vlera në tregun e transferimeve, në mesin e tyre e Milot Rashicës, Amir Rrahmanit, Bersant Celinës e Vedat Muriqit, derisa ky i fundit së fundmi u shpall edhe “Futbollisti më i Mirë i Vitit 2019” në Kosovë.

Më 19 dhjetor shtëpia më e madhe e futbollit në botë publikoi renditjen përfundimtare për vitin 2019, derisa Kosova është vendosur në vendin e 115-të me 1174 pikë të grumbulluara.

Nga barazimi me Danimarkën e deri te triumfi i çmendur në Sofje

Viti 2019 për Kosovën filloi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke barazuar në ndeshjen miqësore me Danimarkën në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultat 2-2.

Deri në minutën e 90-të vendasit ishin në epërsi 2-1, por një gabim në mbrojtje ishte fatal duke u mbyllur ndeshja baras. Katër ditë më vonë Kosova e zhvilloi ndeshjen e parë eliminatore me Bullgarinë, po ashtu në “Fadil Vokrri”.

Ndonëse skuadër më dominuese dhe më kërkuese gjatë gjithë ndeshjes, Kosova debutoi në këto eliminatore me një barazim 1-1. Tre muaj më vonë, saktësisht më 7 qershor, Kosova ishte mysafire e Malit të Zi në Podgoricë, në një ndeshje e cila u luajt pa tifozë shkaku i dënimit të UEFA-s ndaj malazezëve.

Pavarësisht se luajti si mysafir, Kosova dominoi gjatë gjithë ndeshjes, por që në fund barazoi 1-1, derisa mori goditjen më të madhe këtë vit pasi futbollisti më i mirë i vitit 2018, Arbër Zeneli, pësoi lëndim të rëndë dhe që nuk pritet rikthimi i tij deri në fillim të vitit 2020.

Katër ditë më vonë Kosova i shkoi edhe Bullgarisë në Sofje për të korrur fitore me rezultat 3-2 në një ndeshje dramatike në “Vasil Levski”.

Derisa rezultati ishte 2-2, një harkim fenomenal nga Milot Rashica bëri që Elbasan Rashani t’ia dhurojë Kosovës fitoren e parë në këto eliminatore në çastet e fundit të kësaj ndeshjeje të çmendur pas së cilës të gjithë kundërshtarët filluan t’ia kenë edhe më shumë frikën Kosovës.

Fitoret e bujshme ndaj Çekisë dhe ndaj Malit të Zi

Fitorja kundër Republikës së Çekisë më 7 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” mbetet më e përfolura për Përfaqësuesen e Kosovës që prej pranimit të saj në UEFA dhe në FIFA. Ndonëse kishim punë me një Kombëtare që kishte përvojë dhe traditë të madhe, skuadra e Challandesit ia doli që në fund të ndeshjes ta festonte fitoren me rezultat 2-1.

Tri ditë më vonë, Kosova e zhvilloi ndeshjen e parë të saj në histori kundër Anglisë së famshme në “St Mary Stadium” në Southampton. Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje mbaroi me rezultat 5:1 për anglezët, por në pjesën e dytë mysafirët u çmendën duke i shënuar edhe dy gola dhe duke bërë një paraqitje për çdo lëvdatë. Në fund, ndeshja u mbyll me rezultat 5-3.

Muaji tetor ishte mjaft i begatë. Më 10 tetor Kosova zhvilloi një ndeshje miqësore kundër Gjibraltarit duke e mposhtur me rezultat 1:0. Ishte kjo një ndeshje ku Challandesi u dha minuta më shumë futbollistëve që nuk kishin raste të luanin në ndeshje garuese. Ky muaj përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme. “Dardanët” ia dolën që në një ndeshje, ku e dominuan plotësisht në “Fadil Vokrri”, ta mposhtin Malin e Zi me rezultat të pastër 2:0 dhe ta vazhdojnë ëndrrën për “Euro 2020”.

Eliminimi dhe mikpritja e ngrohtë kundrejt anglezëve

Goditjen më të madhe Kosova e mori në mbrëmjen e 14 nëntorit në Plzen, kur pësoi humbje me rezultat 2:1 nga Republika e Çekisë.

Ndonëse ishim vetëm pak minuta pranë fitores kur po fitonim 1-0, çekët e shfrytëzuan mjaft mirë përvojën e tyre dhe në fund të ndeshjes festuan fitoren dhe kualifikimin në “Euro 2020”.

Tri ditë më vonë, Kosova për herë të parë në histori ishte nikoqire e Kombëtares së Anglisë, në Prishtinë, ku u mposhtëm me rezultat 4-0, por që rezultati nuk ishte në plan të parë duke u bazuar në atë se i kishim humbur shpresat për kualifikim.

Por, mikpritja e ngrohtë që u është dhënë futbollistëve e tifozëve anglezë prej ardhjes në aeroport e deri te kthimi i tyre në vendlindje ishte për çdo lëvdatë, saqë edhe mediet e huaja, përveç atyre angleze, e reklamuan në mënyrën më të mirë të mundshme popullin e Kosovës.

Kosova e mbyll vitin 2019 në vendin e 115-të në FIFA

Shtëpia më e madhe e futbollit ndërkombëtar, FIFA, ka publikuar ranglistën e shteteve më të mira në botë për herë të fundit në vitin 2019. Më 19 dhjetor FIFA ka publikuar këtë renditje, derisa është mësuar edhe pozita përfundimtare e Përfaqësueses së Kosovës.

Derisa Kosova nuk ka luajtur asnjë ndeshje në muajin dhjetor, pozita e “Dardanëve” në këtë ranglistë nuk ka ndryshuar fare.

Saktësisht, Kosova ka mbetur në pozitën e 115-të, me 1174 pikë, aq sa kishte edhe në ranglistën e publikuar më 28 nëntor. Ndeshjet e fundit Kosova i ka zhvilluar në muajin nëntor. Djelmoshat e Bernard Challandesit fillimisht u mposhtën me rezultat 2:1 nga Republika e Çekisë në Plzen, ndërkaq më pas në Prishtinë humbën nga Anglia me rezultat 4-0.

Vedat Muriqi, “Futbollisti më i Mirë për Vitin 2019”

Vedat Muriqi është shpallur nga Federata e Futbollit e Kosovës si “Futbollisti më i Mirë i Kosovës për vitin 2019”.

25-vjeçari është zgjedhur në gala mbrëmjen e mbajtur në mbrëmjen e 20 dhjetorit në hotelin “Emerald”, në Prishtinë.

Sulmuesi prizrenas e kaloi një vit fantastik, fillimisht me ekipin Rizespor, për të vazhduar me Fenerbahçen në pjesën e dytë të vitit, por edhe me Përfaqësuesen e Kosovës, me të cilën ishte i frikshëm. Në garë për këtë çmim ishin edhe Amir Rrahmani dhe Milot Rashica.

Rritet vlera e futbollistëve të Kosovës në treg

Përfaqësuesja e Kosovës çdo ditë e më shumë po shënon rritje në vlerë falë formës fantastike të lojtarëve tanë që luajnë nëpër Evropë. “Transfermarkt”, që merret me vlerën e çdo lojtari nëpër botë, ka përditësuar së fundmi edhe vlerën e lojtarëve tanë.

Milot Rashica, që luan aktualisht të Werder Bremeni, është lojtari me vlerën më të lartë nga lojtarët e “Dardanëve”, me 35 milionë euro.

Pas tij vjen sulmuesi i Fenerbahces, Vedat Muriqi, që ka një çmimi prej 8 milionë eurosh e 1 milion më pak e ka Florent Hadërgjonaj. Kapiteni i Përfaqësueses, Amir Rrahmani, është në vlerën e 6 milionëve, ndërsa pas tij renditen, Arbër Zeneli, Bersant Celina e Valon Berisha me 5 milionë euro.

Një rritje në vlerë ka shënuar edhe Idriz Voca, që ka kapur vlerën e 4 milionë eurove në tregun e transferimeve, shkruan telegrafi, përcjell albinfo.ch.