Feja

“Youtube imamët” infektuan myslimanët e diasporës

Myslimanët e Evropës Perëndimore radikalizohen më shumë edhe nga "Youtube imamët", të cilët i dëgjojnë pa ditur se kë po e dëgjojnë, thotë analisti Shpend Kursani

Myslimanët në Evropë, përfshirë edhe disa shqiptarë në diasporë, që u janë bashkuar grupeve terroriste në Irak e Siri, janë ndikuar kryesisht nga “Youtube imamët”, të cilët i dëgjojnë po e ditur se kush janë. Kështu deklaron për albinfo.ch Shpend Kursani, analist dhe autor i një hulumtimi me temën: “Shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat e Lindjes së Mesme (Siri dhe Irak)”.

Në raportin e tij që është sponsorizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thuhet se kosovarët që janë pjesë e luftës në ISIS janë njerëz të painformuar dhe mendjelehtë, të cilët u janë bashkuar luftërave arabe pa pasur ide. Ndërsa, ndër shkaqet që kanë nxitur ata të marrin këtë rrugë janë edhe ato ekonomike.

“Shumica e atyre që e përqafuan ideologjinë tekfiriste janë kryesisht të rinj, të cekët, mendjelehtë, injorantë, pa përvojë dhe pasi nuk marrin referenca fetare nga studiues të besueshëm fetarë, zakonisht joshen nga një trup i tretë që ndjek rrugë të shtrembëruara për kryengritje dhe nxiten nga hipokrizia”, thuhet në hulumtim.

Por, në pyetjen e albinfo.ch se a ka ndikuar ideologjia fetare nga Kosova e Maqedonia edhe në diasporë që disa prej tyre të marrin rrugën e Sirisë dhe Iraku, ai thotë se në diasporë më pak janë indoktrinuar nga klerikët dhe rrymat radikale në Ballkan, se sa ata në vendet ku jetojnë.

“Myslimanët e Evropës Perëndimore radikalizohen më shumë edhe nga “Youtube imamët”, të cilët i dëgjojnë pa ditur se kë po e dëgjojnë, e kjo ndodh për shkak se nuk kanë vend shumë ku të luten e të bashkëveprojnë me imamë kredibilë e legjitimë”, shprehet Kursani.

Ai thotë se studimi që është publikuar para pak ditësh ka për objekt vetëm qytetarët e Kosovës, “mirëpo, ka raste të konfirmuara dhe jam i informuar, se ka edhe kosovarë të diasporës, të cilët janë përfshirë me grupet e ndryshme rebele në Siri. Në fakt, është një rast i një qytetari të Kosovës, i cili ka jetuar qysh nga vitet e 90-ta në Suedi, i cili është vrarë vitin e kaluar në Siri duke luftuar”.

Sipas Kursanit, radikalizmi i tij ka ndodhur gjatë qëndrimit të tij në Suedi, e jo në Kosovë.

“Kjo nuk është çudi, për shkak se raporti po ashtu gjen se janë popullsitë myslimane të vendeve me shumicë jomyslimane që më shumë tërhiqen nga grupet rebele xhihadiste të Lindjes së Mesme sesa popullsitë myslimane të vendeve me shumicë myslimane, siç është Turqia, apo edhe vetë Kosova. P.sh. në proporcion me numrin e popullsive myslimane, janë myslimanët e vendeve skandinave dhe Evropës veriore që tërhiqen më shumë nga grupet rebele sesa myslimanët e Kosovës”, deklaroi ai.

Në vendet e Evropës Perëndimore myslimanët, sipas Kursanit, ndjehen të paragjykuar dhe e kanë ndjenjën se identiteti i tyre dhe besimi i tyre sfidohet nga kultura evropiane, kryesisht e krishtere dhe, si rrjedhojë, këmbëngulin më shumë në besimin mysliman, në mënyrë që ta mbrojnë identitetin e tyre.

“Por kjo nuk e shpjegon të tërën. Problemi me vendet e Evropës Perëndimore është se i lënë myslimanët të falen nëpër bodrume dhe hapësira private, ku mungon numri i xhamive zyrtare, ku dikush mund ta ushtrojë besimin e vet dhe, si rrjedhojë, ndjehen të shtypur dhe atmosfera të tilla jodinjitoze i radikalizon ata më shumë”, deklaroi mes tjerash Kursani.

Ndryshe, sipas hulumtimit të QKSS-së, numri i luftëtarëve të huaj që u janë bashkuar organizatave të ndryshme militante që luftojnë në Siri dhe Irak është më shumë se 20 mijë. Rreth 4 mijë, apo një e pesta e tyre vijnë nga Evropa Perëndimore. Këto të dhëna janë vlerësime të gjysmës së dytë të vitit 2014 dhe numri vazhdon të rritet.

Në mesin e 22 shteteve perëndimore që përfshijnë ato në gjithë Evropën, SHBA, Rusi dhe Turqi, nga ku shumica e luftëtarëve të huaj janë të dyshuar se u janë bashkuar organizatave militante në Siri dhe Irak, Kosova është vendi i tetë në renditje, me 232 raste të konfirmuara.

Rusia renditet e para në listë me 1 mijë e 500 raste të konfirmuara, e ndjekur nga Franca me 1 mijë  200 raste të konfirmuara dhe Gjermania, Mbretëria e Bashkuar (MB) dhe Turqia me nga 600 raste të konfirmuara secila.

Megjithatë, në aspektin e numrit të luftëtarëve të huaj për kokë banori, Kosova ka 125 luftëtarë të huaj për kokë për një milion banorë, duke e bërë atë vendin e parë në renditje në mesin e 22 vendeve të listuara, e pasuar nga Bosnja me 85, Belgjika me 42 dhe Shqipëria me 30 rastet e luftëtarëve të huaj për kokë banori për një milion popullsi.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI