Lajme

Zviceranët, gjithnjë e më pak të disiplinuar sa u përket masave

Sipas sondazhit të realizuar nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Cyrihut (ZHAW) dhe universitetet e Cyrihut dhe Bernë

Popullsia zvicerane po u përmbahet gjithnjë e më pak masave të rekomanduara nga Qeveria Federale kundër koronavirusit. Dy të tretat, për shembull, kujdesen për të mbajtur distancën ndërsa te 18 deri në 29 vjeçarët është më pak se gjysma që i përmbahen kësaj mase parandaluese, shkruan srf.ch.

Këtë e tregojnë monitoruesit aktualë socialë Covid-19 nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Cyrihut (ZHAW) dhe universitetet e Cyrihut dhe Bernës, transmeton albinfo.ch. Përveç kësaj, pak më pak se gjysma e popullsisë shmang transportin publik për shkak të pandemisë.

Në momentin e anketimit, në gjysmën e dytë të tetorit, vetëm çdo i pesti person ka deklaruar se është përmbajtur nga vizitat private dhe ka qëndruar në shtëpi, raporton ZHAW.

Përveç kësaj, vetëm rreth dy të tretat e popullsisë u besojnë autoriteteve dhe mediave.

Nga sondazhi kemi megjithatë edhe një lajm të mirë: Që nga mbyllja e fundit në janar, cilësia e jetës është rritur ndjeshëm përsëri, përcjell albinfo.ch. Rreth nëntë nga dhjetë njerëz e vlerësojnë si të mirë cilësinë e jetës së tyre.