Lajme

Zvicra, numër 1 në botë për tërheqjen e ekspertëve ndërkombëtarë

Fushat ku Zvicra del e para janë atraktiviteti, cilësia e shkollimit profesional, infrastruktura e shëndetësisë, pagesat, tërheqja e fuqisë së jashtme punëtore me kualifikim të lartë etj.

Zvicra vazhdon të shërbejë si “magnet” që tërheq më së shumti në botë ekspertët nga e gjithë bota. Vendin e parë në listën e vendeve të botës për nga shkalla e kompetivitetit (aftësisë konkurruese) Zvicra e zë në një studim të realizuar nga Qendra për kompetivitet global IMD me seli në Lozanë, shkruan sda.ch.

Vendin e dytë e zë Danimarka, ashtu sikurse edhe në vitin e kaluar.

Ndërkohë që Zvicra, sipas studimit, është kampion për tërheqjen e ekspertëve nga bota, Singapori, i cili është në vendine dhjetë, del para saj sa i përket tërheqjes së ekspertëve nga vendi, transmeton albinfo.ch.

Studimi konstaton po ashtu se Zvicra ka investuar më së shumti për ngritjen e shkallës së specializimit të gjeneratës së saj të re vendore.

Fushat ku Zvicra del e para janë atraktiviteti, cilësia e shkollimit profesional, infrastruktura e shëndetësisë, pagesat, tërheqja e fuqisë së jashtme punëtore me kualifikim të lartë etj.

Në të ardhmen pritet që Zvicrës t`i shtohet konkurrenca për përfitimin e ekspertëve të jashtëm. Kjo konkurrencë asaj do t`i vijë nga shtetet tjera të vogla dhe të mesme evropiane. Kjo për faktin se këto shtete, sipas IMD-së janë duke investuar shumë në arsim dhe sepse kanë një cilësi të lartë jetese, përcjell albinfo.ch.

Si shembull në këtë kontekst është Suedia, e cila tashmë është ngritur në vendin e tretë ndërsa në studimin e fundit ka qenë në vendin e tetë. Këtë e ka arritur, sipas studimit, pasi që ka investuar më tepër në arsim.

Në top dhjetëshen e parë janë edhe shtetet tjera evropiane, si: Austria, në vendin e katërt, Luksemburgu (5), Norvegjia (6), Islanda (7), Finlanda (8) dhe Holanda (9), transmeton albinfo.ch. I vetmi vend joeveropian në këtë ranglistë është Singapuri në vendin e dhjetë.

Gjermania ka “rrëshqitur” nga top 10-shi duke rënë në vendin e 11 ndërsa SHBA mban vendin e 12-të.