Integrimi

Zvicra: Po, mësimit të gjuhëve amtare, jo ndikimit nga vendet e prejardhjes

Fëmijët me prejardhje të huaj duhet të zotërojnë gjuhën e tyre amtare, por pa e marrë edhe ndikimin nga vendi i prejardhjes

Në Zvicër orët e mësimit për gjuhën amtare dhe kulturën e prejardhjes (HSK) ofrohen në mbi 40 gjuhë. Këto mësime zhvillohen pranë shkollave të këtushme të rregullta, të mërkurave pasdite, mbrëmjeve dhe në fundjavë. Fëmijët me prejardhje migracioni duhet të mësojnë gjuhën e tyre amtare.

“Gjuha është baza”, thotë mësuesja shqiptare Mirela Duka, e intervistuar nga radio srf. Nëse e flet mirë gjuhën tënde amtare, do të mësosh më shpejt gjuhët e tjera, si gjermanishten. “Dhe kur fëmijët shkojnë në atdhe, ata duhet të dinë gjuhën shqipe që të jenë në gjendje të flasin me gjyshërit e tyre”, thotë Duka, transmeton albinfo.ch.

Mirela Duka jep mësim në gjuhën shqipe një herë në javë në shkollën Lorrene në qytetin e Bernës. Çdo të mërkurë pasdite, dhjetë nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën shkojnë në klasë. “Ata mësojnë gjuhën, por edhe lëndët si gjeografia, në gjuhën shqipe”, thotë Duka. Kultura shqiptare gjithashtu ka vendin e saj në këtë shkollë. Fëmijët duhet të dinë zakonet dhe doket e vendit të prejardhjes.

Materiali shkollor vjen nga Shqipëria

Ajo thotë se mjetet shkollore i merr nga Shqipëria. Nga atje merret një plan vjetor për atë që planifikohet të punohet për çdo vit shkollor, thotë Mirela Duka. Ndërkaq, shkolla (kursi i gjuhës dhe kulturës së atdheut) financohet nga një sponsor privat, përcjell albinfo.ch. Po ashtu në disa raste duhet të paguajnë edhe prindërit. Për shkak se shumë nga ta nuk paguajnë, mësuesve u duhet të punojnë falas, thotë mësuesja. Kështu ndodh edhe me mësuesit e tjerë të HSK-së. Kjo është dhe arsyeja pse ata po kërkojnë më shumë para nga sektori publik.

Mësimet e HSK-së aktualisht janë një veprimtari laramane, jounike. Jo të gjitha gjuhët ofrohen në të gjithë kantonet dhe jo të gjitha ofertat financohen njësoj, transmetopn albinfo.ch. Kështu, ”shkollat” e  HSK nuk organizohen dhe financohen vetëm nga sponsorët privatë, por pjesërisht, edhe nga ambasadat përkatëse.

“Italia, Spanja, Greqia ose Hungaria paguajnë për mësimet e HSK në Zvicër”, thotë Therese Salzmann nga “IG Erstsprachen”, e cila është e angazhuar për këtë fushë. “Bëhet fjalë për një ndikim shumë të madh”.

Në rast se mësimet do të paguheshin më shumë nga sektori publik, vendet e prejardhjes do të kishin më pak ndikim në këto kurse, ndërsa këtë ndikim në atë rast do ta kishte Zvicra, thotë Salzmann. Një shembull nga kantoni i Thurgau kishte bërë bujë të madhe në vitin 2018. Pas një shfaqjeje shkollore të një klase turke HSK, qe ngritur debati se në çfarë mase qeveria turke i kishte dhënë shfaqjes ngjyrën e saj. Bëhej fjalë për një shfaqje me mesazhe problematike politike.

“Në Kantonin e Bernës nuk ka diçka të tillë”, thotë Erwin Sommer, drejtuesi i Zyrës për kopshtet e fëmijëve dhe Shkollën Fillore në Kantonin e Bernës.

Përkundër faktit se kantoni i Bernës nuk mbështet financiarisht mësimet e HSK-së, ata që zhvillojnë këto mësime duhet t’u përmbahen rregullave: “Sipas Konkordatit Harmos, mësimet duhet të jenë neutrale nga ana politike dhe fetare”, transmeton albinbfo.ch. Sigurisht, kjo nuk kontrollohet. Sepse nuk është e nevojshme, por gjithashtu nuk është e realizueshme për mungesë burimesh, thotë Sommer.

Përse Kantoni i Bernës nuk dëshiron të paguajë?

Kantoni ofron mbështetje organizative për mësimdhënien në kuadër të HSK-së. Një ekspert bën mbikëqyrjen e ofertave dhe siguron informacione rreth tyre. Mësimet promovojnë zhvillimin e gjuhës së fëmijëve, thotë Sommer. Sidoqoftë, oferta duhet të vazhdojë të ofrohet nga individë privatë, transmeon albinfo.ch. “Ka shumë oferta të tjera private”. Kantoni nuk mund të ofrojë gjithçka që është e dëshirueshme, thotë Sommer.