Maqedonia

Anulohen fluturimet në aeroportin e Shkupit

Në aeroportin e Shkupit sot në mëngjes janë anuluar të gjitha fluturimet dhe aterimet e planifikuara

Mjegulla edhe sot në mëngjes po shkakton probleme në zhvillimin e komunikacionit në Shkup, përcjell albinfo.ch.

Në aeroportin e Shkupit sot në mëngjes janë anuluar të gjitha fluturimet dhe aterimet e planifikuara.

Vetëm një fluturim është riorientuar në aeroportin e Prishtinës, raportojnë mediat vendase.

Dukshmëri të zvogëluar prej 50 deri në 100 metra ka në rrethrrotullimin pranë Shkupit, si dhe në akset rrugore Shkup-Katllanovë dhe Shkup-vendkalimi kufitar Bllacë.

Në akset e tjera rrugore në vend komunikacioni po zhvillohet vende-vende nëpër rrugë të lagështa.

Drejtoria për punë hidrometeorologjike ka bërë me dije se mjegulla e dendur në rajonin e Shkupit pritet që të zvogëlohet gjatë orëve të mesditës.