Intervista

Krenare se krahas gjermanishtes zotëroj edhe shqipen

Pjesë të shkëputura nga bashkëbiseda e një ditë dhjetori me mësuesen e ardhshme të gjermanishtes dhe admiruesen e gjuhës shqipe

Melani Alilaj është studente në Shkollën e Lartë Pedagogjike, e njoha në Konferencën kushtuar mësimit plotësues të gjuhës shqipe mbajtur para pak ditësh në Cyrih, në cilësinë e pjesëmarrëses theksoi rolin dhe vlerën e gjuhës amtare shqipe në përvojën e saj si nxënëse. Kaq është pak për të trokitur e hyrë “me ndrojtje “ në portën e jetës së vashës shqiptare, lindur dhe arsimuar në Zvicër. Ja disa copa të shkëputura nga bashkëbiseda e një ditë dhjetori me mësuesen e ardhshme të  gjermanishtes dhe admiruesen e gjuhës shqipe që me punën e palodhur dhe suksesin e arritshëm lëshon “rreze të arta” në shoqërinë e pritëse.

Kush është Melani Alilaj ?

Unë jam një vajzë shqiptare, bijë e një familje mërgimtarësh të ardhur nga Kosova në Zvicër, pra në Kantonin e Cyrihut. Këtu u linda dhe u rrita. Jam 24 vjeçe. Jam studente në Shkollën e Lartë Pedagogjike, drejtimi gjuhësor, viti i katërt përfundimtar – Master, saktësisht ky drejtim më përgatit për mësimdhënie në shkollën sekondare apo për klasat 7-9.

Si të duket jeta në studime?

Jeta në institucione studimore është e këndshme sepse merr gjithnjë dije, mundohesh të përgatitesh për një profesion që më vonë dijen tënde e përcjell tek brezat më të rinj.

Përveç se je një gjermanishtfolëse e rrjedhshme, ti e flet mirë edhe gjuhën shqipe. Nga ky kujdes?

Po. Unë flas shqip, gjermanisht, anglisht, frëngjisht dhe në gjimnaz kam mësuar edhe gjuhën latine. Sa i përket gjuhës shqipe në shtëpi flasim gjithmonë shqip. Fjalët e mia të para i thashë në gjuhën e nënës dhe kështu derisa fillova klasën e parë. Aty fillova të shkruaj e të lexoj gjermanisht. Fati më buzëqeshi kur qëlloi të ketë edhe shkollë shqipe me mësim plotësues në Cyrih dhe krahas shkollës së obligueshme  fillova edhe mësimin shqip nga klasa e parë deri në  mbarim, te mësuesi Naser Ulaj. Ndjej krenari se krahas gjermanishtes e zotërojë shumë mirë  gjuhën shqipe. Mësimin shqip e kam përforcuar duke lexuar tregime në gjuhën shqipe. Për këtë e falënderoj nënën time që më ka kushtuar kaq shumë kujdes për gjuhën shqipe dhe kulturën time shqiptare!

 Çfarë do të thotë të dish shumë gjuhë?

Shumë gjuhësia për mua është e rëndësishme për disa arsye: Së pari mund të komunikojë me shumë njerëz që nuk e flasin gjuhën time. Në radhë të dytë më pëlqen të njoh kulturat tjera gjuhësore në shoqërinë ku jetoj. Gjithashtu më pëlqen të studioj dhe krahasoj strukturat e gjuhëve të ndryshme. Prandaj gjuha shqipe ka lidhje me gjuhet latine ndonëse pak. Fare në fund është hobi im udhëtimi nëpër botë që të eksploroj kulturat e panjohura.

Mund të më flisni më gjerë pse kishte për ty rëndësia e mësimit plotësues të gjuhës shqipe?

Për veç atyre që thash më lart, gjuha shqipe është e pasur me 36 tinguj dhe shkronja, më ka lehtësuar në shqiptimin e drejt të disa tingujve te gjuhët e huaja si në: anglisht, frëngjisht dhe të gjuhës latine. Natyrisht në formimin tim ka ndikuar përgatitja e lartë arsimore në SHL Pedagogjike sepse aty është vendi i diturisë.

Por është shumë me rendësi qe fëmija të mëson gjuhen e nënës sepse kjo është baza për gjuhë tjera. Gjithashtu ka rëndësi në shoqërimin dhe kontaktet mes fëmijëve shqiptarë sepse këtu ka një rreth me edukim me etni nga më të ndryshmet. Veç kësaj, fëmijët nuk e harrojnë prejardhjen e familjes dhe kulturën të cilës i përkasin.

Çfarë do t`u transmetoje nxënësve shqiptarë në Zvicër?

Do tu uroja çdo të mirë në mësimet e tyre të përditshme. Do të u dëshiroja nga zemra që ta flasin me dëshirë gjuhën shqipe, të shkojnë në shkollë për ta mësuar gjuhën shqipe krahas gjermanishtes apo frëngjishtes sepse gjuha e amtare vetëm se u ndihmon, në asnjë mënyrë nuk është pengesë. Megjithatë, rolin kryesor në mësimin e gjuhës shqipe e kanë prindërit e fëmijëve.

 

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/krenare-se-krahas-gjermanishtes-zoteroj-edhe-shqipen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.

 Biografi e shkurtë:

  • Emri e mbiemriMelani  Alilaj
  • Prejardhja:Kosovë
  • Vendi ku vepron:Zvicër
  • Profesioni:Studente në Shkollën e Lartë Pedagogjike