Bota

Në tri qytete gjermane qiraja do të rritet më së shumti në gjithë Evropën

Ekspertët e intervistuar në studim presin që rritjet më të larta të qirasë në Evropë të jenë në Berlin, Munih dhe Hamburg

Falë Brex-it, metropolet në Gjermani tani kanë potencialin më të madh për zhvillim në të gjithë Evropën, sipas një studimi të ri. Por, përderisa ky është një lajm i mirë për investitorët, kjo do të thotë se qiramarrësit do të përballen me qiratë më të larta, shkruan “thelocal.de”.

Studimi që është kryer nga firma audituese PwC në bashkëpunim me Institutin Urban të Tokës, zbuloi se vëllimi i investimeve të pasurive të paluajtshme gjatë 12 muajve të fundit në Gjermani arriti në 68 miliardë euro.

Kjo është një rritje e ndjeshme nga vëllimi i investimeve të vendit të regjistruar vitin e kaluar: 54 miliardë euro.

Në Britaninë e Madhe, nga ana tjetër, investimet kanë rënë nga 66 miliardë në 64 miliardë euro, përcjell albinfo.ch.

Studimi gjithashtu zbuloi se qytetet gjermane janë ndër metropolet në Evropë, me potencialin më të madh të zhvillimit. Katër qytete gjermane u renditën në mesin e gjashtë vendeve më të mëdha për investime dhe potencial për zhvillim në vitin 2018: Berlini, Frankfurti, Munihu dhe Hamburgu.

Por, pasuria e patundshme gjermane do të duhet të paguajë një çmim për atraktivitetin e saj në rritje. Ekspertët e intervistuar në studim presin që rritjet më të larta të qirasë në Evropë të jenë në Berlin, Munih dhe Hamburg.

Londra është qyteti i vetëm në Evropë ku çmimet e qirasë kanë gjasa të bien, zbuloi studimi.

“PwC” e ka kryer studimin duke intervistuar 818 përfaqësues nga kompanitë e pasurive të paluajtshme, menaxherët e investimeve, zhvilluesit e pronave, investitorët institucionalë, huadhënësit, fondet e pronave të tregtuara me shkëmbime dhe zhvilluesit e pronës në të gjithë Evropën.