Shkurt.ch

Qenan Ramadani do të jetë ambasador i Maqedonisë në Zvicër

Lajmi është konfirmuar nga vetë kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, në takimin që pati me Ramadanin.

Thyhet një akull shumëvjeçar për shqiptarët e diasporës dhe Maqedonisë. I pari i Maqedonisë në Zvicër do të jetë një shqiptar nga Zhelina, Qenan Ramadani. Lajmi është konfirmuar nga vetë kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, në takimin që pati me Ramadanin. Shqiptar tjetër në këtë detyrë më 2010 ka qenë Ramadan Nazifi, ndërsa në fund të 2014-ës presidenti Gjorgje Ivanov refuzoi të akreditojë Ekrem Abibin për të zënë vendin e ambasadorit në Bernë, përkundër që kaloi procedurat qeveritare dhe prezantoi tezat e tij në MPJ.

“Sot u takova me Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Maqedonisë në Zvicër, Qenan Ramadani.
Zvicra është një mik tradicional, një mbështetës i madh dhe donatori më i madh për Republikën e Maqedonisë. I uroj atij një mandat të suksesshëm Ramadanit, me fokus në forcimin e bashkëpunimit me Zvicrën, kryesisht në frontin ekonomik”, ka shkruar kryeministri Zaev.

Përndryshe Qenan Ramadani ka punuar një kohë të gjatë në fushën e diplomacisë.