Maqedonia

Rriten tensionet në ditët përmbyllëse të fushatës në Maqedoni

Maqedonia ka hyrë në javën e fundit të fushatës elektorale, para zgjedhjeve lokale të së dielës, përcjell albnfo.ch.

Për dallim nga pjesa e parë, e cila u karakterizua me fushatë kryesisht të qetë dhe pa incidente, pjesa e dytë e fushatës është përcjellë me rritje tensionesh. Një kandidat i pavarur për këshilltar është vrarë në Kërçovë, por vrasja thuhet të mos ketë pasur lidhje me politikën.

Një tjetër kandidat për kryetar komune është kërcënuar me vdekje, ndërsa një tjetër kandidat është rrahur brutalisht nga aktivistë të partisë kundërshtare.

Gjatë kësaj periudhe janë demoluar të paktën dhjetë shtabe partiake. Ministria e Brendshme ka konfirmuar të gjitha këto incidente dhe ka njoftuar se është duke punuar për zbardhjen e plotë të tyre. Parregullsitë e fushatës elektorale janë evidentuar edhe nga  organizata më e madhe joqeveritare për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor “MOST”.