Lajme

Shumë vështirë për ta marrë një vizë

Ambasadat në Prishtinë nuk i refuzojnë vetëm qytetarët e rëndomtë që të vizitojë BE-në, por shpesh viza nuk u jepet as mjekëve që janë të ftuar për seminare shkencore

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbeten populli më i izoluar në Evropë, ndaj të cilit Bashkimi Evropian aplikon regjim të egër vizash. Viti 2013 ishte proklamuar si vit i liberalizimit të vizave, por kjo nuk ndodhi pasi që Qeveria në Prishtinë nuk shënoi  rezultate në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
 
Qytetarët e Kosovës kanë shumë vështirësi të marrin viza, andaj kjo ua pamundëson lëvizjen e lirë. Ata flasin për procedurat e shumta dhe mbledhjen e shumë dokumenteve si dhe vështirësitë për të marrë një vizë “shenjen”.

Blerta Ramadani, 27 vjeçare, ekonomiste me profesion, thotë se për të lëvizur në vendet e Bashkimit Evropian nga Kosova është mjaft e vështirë dhe është një  procedurë tepër e lodhshme.

“Secila ambasadë i ka kushtet e veta që i parashtron që janë obligative të plotësohen. Nëse plotësohen kushtet nuk është e vështirë të merret një vizë, por kushtet që parashtrohen rrallë të rinjtë mund t’i plotësojnë. Kërkohen para të kursyera, kontratë e punës afatgjate, e që rrallë të rinjtë kanë të holla të kursyera në bankë, për shkak se pagat e vogla”, deklaroi ajo.

 
Madje të rinjtë në Kosovë, sipas Ramadanit, janë të shumtë të papunë, dhe se për ata është pa dyshim e pamundur ta marrin vizën.

“Mua dy herë më kanë refuzuar, për shkak se kam qenë e papunë, edhe pse dokumentet tjera i kam pasur, derisa herën e fundit Ambasada e Gjermanisë më ka lëshuar vizë pasi që kam qenë e punësuar”, thotë Ramadani, citon REL.

Në raportin e fundit, Komisioni Evropian i kërkon Kosovës që të bëjë hapa konkretë në luftimin e dukurive negative në mënyrë që të ecë drejt liberalizimit. Po ashtu, përmendet si pengesë në këtë proces edhe migrimi ilegal, reformat në drejtësi dhe çështje tjera që ndërlidhen edhe me legjislacionin.

Pavarësisht kësaj, në tre vjetët e fundit, mbi 217 mijë kosovarë kanë aplikuar për viza dhe kanë shpenzuar rreth 15 milionë euro për pagesa në ambasada të ndryshme.

Këtë e thonë zyrtarë të instituti “GAP”,  sipas të cilëve kjo ka ardhur si rezultat i një hulumtimi të bërë.

 Dren Pozhegu është hulumtues në Institutin GAP.

 “Statistikat flasin se prej vitit 2010 – 2012 janë refuzuar 10 për qind e atyre që kanë aplikuar. Por procedurat e gjata janë shumë të lodhshme për një vizë Shengen…Ka shumë ankesa nga vetë qytetarët për procedurat e mundimshme dhe që marrin shumë kohë”, shprehet Pozhegu.

 Driton Kastrati, qytetar, flet për procedurat e lodhshme që nevojiten për të marrë një vizë.

 “Ambasada e Gjermanisë më ka refuzuar, dhe nuk më ka dhënë ndonjë arsye. Tri herë kam aplikuar. Herën e tretë kam arritur ta marr. Por procedurat janë të lodhshme sepse kërkohen shumë dokumente”, bën të ditur ai.

 Sidoqoftë nuk janë vetëm qytetarët që dëshirojnë të vizitojnë shtetet e Bashkimit Evropian e kanë vështirësi të marrin viza. Vizat u refuzohen shpeshherë edhe mjekëve, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në seminare të ndryshme shkencore.