Lajme

Kuvendi miraton Gjykatën Speciale

Me 89 vota për, 22 kundër dhe 2 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan themelimin e një Gjykate të veçantë për t’i hetuar krimet eventuale të UÇK-së

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pas një debati të ashpër, miratuan të mërkurën në një seancë të rregullt plenare, themelimin e Gjykatës Speciale e cila do t’i hetoj akuzat që i ka bërë deputeti zviceran Dick Marty. Pro kësaj gjykate votuan 89 deputetë, 22 u deklaruan kundër ndërsa 2 abstenuan.

Debati u zhvillua kryesisht ndërmjet ligjvënësve opozitarë të Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka kundërshtuar tribunalin për UÇK-në dhe ligjvënësve të koalicionit qeveritar.

Vetë kryeministrit Hashim Thaçi kërkoi nga të gjithë deputetët që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale për të cilën disa herë ka thënë se është e padrejtë por e domosdoshme. Ai tha se kjo gjykatë do të jetë nën juridiksionin e Kosovës dhe do t’i ketë dy seli, njërën në Kosovë, kurse tjetrën me një vend evropian.

“Kërkojë nga të gjithë deputetët e të gjitha partive të votojnë pro themelimit të Gjykatës. Kërkesa ndaj Kosovës për të themeluar një gjykatë speciale është adresuar nga Dic Marky dhe është thyerja më e madhe që u bëhet Kosovës”, deklaroi kryeministri kosovar, i cili edhe vet është përmendur nga zvicerani.

Ndërsa akuzat më të rënda në drejtim të qeverisë dhe kryeministrit i drejtoi lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Ai tha se tribunali nuk do të bëhet sikur kryeministri të mos e donte atë. “Ai e bëri pasi beson që ai vet nuk do të përfundojë aty. Po ti thuhet se edhe ky vet përfundon aty, nuk do të kishte Tribunal”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, me themelim të gjykatës Thaçi po i dorëzon shokët e vet, ndërsa Hashim Thaçi disa herë e quaji servil.

“Serviliteti i kryeministrit nuk bëhet nga motivet e kombit, por për qëllime personale. Për të mbet kryeministër duhet vazhduar me pazaret e tij”, deklaroi Kurti, sipas të cilit, Kosova nuk ka nevojë për këtë gjykatë të veçantë por kjo gjykatë ka nevojë për Kuvendin e Kosovës.

Në mbështetje të kësaj gjykate që po quhet tribunal për UÇK-në, votuan edhe partitë tjera parlamentare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe partitë tjera minoritare. Ndërsa më të zëshmit për këtë tribunal kanë qenë ligjvënësit e komunitetit serb.

Ndërsa deputeti Fatmir Limaj, njëri nga themeluesit e lëvizjes “Nisma”, tha se do të abstenoj në vendimin për gjykatën. Limaj i cili ka disa vjet që përballet me drejtësinë, tha se është e pakuptimtë që karshi EULEX-it të bëhet edhen një gjatë e veçantë për të hetuar vetëm UÇK-në.

“Unë kurrë nuk mund të votojë kundër një Gjykate e cila heton dhe ka për qëllim procedime të krimeve të luftës. Por, krimi nuk mund të gjykohet selektivisht, nuk mund të ndiqet selektivisht. Unë jam për vazhdimin e misionit të EULEX-it. Dhe unë do të jem gjithmonë pro një gjykate e cila do të gjykonte krimet e kryera në Kosovë“, dekalroi Limaj.

Ndryshe Kuvendi i Kosovës sot do të shqyrtojë dhe miratojë, ndryshimin e pakove ligjore që ia zgjasin mandatin EULEX-it deri në qershor të vitit 2016. Për këtë çështje ekziston konsensusi i të gjitha partive politike.  

EULEX-i ka ardhur në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë më 2008, ndërsa është dashtë të përfundojë mandatin në qershor të këtij viti. Por, pas insistimit të bashkësisë ndërkombëtare dhe me kërkesën e serbëve në veri, Prishtina zyrtare kërkoi nga Brukseli që këtij misioni t’ia vazhdojë mandatin edhe për dy vjet.