Shkurt.ch

Paris: Së paku 6 të vdekur nga shpërthimi

Hetuesit dyshojnë se shkaktar i aksidentit mund të jetë shpërthimi i gazit

Në natën në mes të  shtunës dhe të dielës, nga rrënimi i një ndërtese banimi në periferi të Parisit kanë humbur jetën së paku gjashtë persona. Dy të tjerë konsideroheshin të zhdukur ndërsa gjithsej 11 banorë kanë pësuar lëndime.

Ndërtesa katër katëshe është rrënuar pas një shpërthimi, shkaku i të cilit ende nuk dihet. Forcat e shpëtimit kanë thënë se për të kryer punën e tyre në tërësi u duhen së paku edhe 24 orë. Shefi i tyre ka thënë për mediet franceze se ende ka shpresa që të zhdukurit të gjenden të gjallë në gërmadhat e ndërtesës. Por, kërkimi paraqitet i vështirë pasi që pjesë të ndërtesës rrezikonin të rrënoheshin prandaj paraprakisht duheshin siguruar.

Hetuesit nga policia dhe ministri i brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve dyshojnë se shkaktar i aksidentit mund të jetë shpërthimi i gazit.

Sipas dëshmive të banorëve dhe të zjarrfikësve, në afërsi të vendit të shpërthimit kanë qenë duke u zhvilluar punime për rrjetin e furnizimit me gaz dhe me energji elektrike. Ndërkaq, furnizuesi me gaz GRDF ka siguruar se para fatkeqësisë nuk ka pasur të dhëna për ndonjë defekt në rrjetin e gazit.