Intervista

Sytë kërkojnë Dritë – humanizmi i një gruaje

Shqipe Kryeziu ka arritur të mbajë gjallë ëndrrën për t`u sjellë dritën e syve, personave me probleme me shikimin. Këtë tashmë ka arritur ta bëjë realitet, duke themeluar shoqatën, “Sytë kërkojnë dritë” në Luzern të Zvicrës

Të jesh human do të thotë të mbash qëndrim fisnik e njerëzor, por po ashtu të shfaqesh edhe dashuri të thellë ndaj qenies njerëzore. Një virtyt i tillë kërkon një zemër të madhe, dashuri për njeriun, pa dallim. Rrëfim i një personazhi, që shquhet për vlerat e saj humane, shfaq anën e ndritur të medaljes, vullnetin për të dhënë gjithë atë çfarë ka, për të tjerët. Është kjo Shqipe Kryeziu, një grua me një shpirt të madh human, e dashur për rrethin dhe familjen, e pasionuar për artin, letrat dhe muzikën.

Ndonjëherë vullneti dhe dashuria për jetën është shumë më e fortë se sa errësira,  një të tillë e shohim tek Shqipja. Përkundër vështirësive që ka kaluar rruga e saj jetësore, problemet me shikimin, që i dobësohej nga viti në vit, nuk e ka zbehur vullnetin për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Ajo në tregimin e saj, nënvizon me forcën e argumentit, shpirtin e saj human, e që përkundër sfidave të jetës ka arritur të mbajë gjallë ëndrrën për t`u sjellë dritën e syve, personave me probleme me të pamurit. Këtë tashmë Shqipja ka arritur ta bëjë realitet, duke themeluar shoqatën, “Sytë kërkojnë dritë” me seli në Luzern të Zvicrës. Humanizmi i saj nuk ka filluar me shoqatën, ai ka lindur me të, ngase ajo ka kohë që ndihmon njerëzit në nevojë duke dërguar rregullisht në baza vjetore, kontingjente ndihmash për familjet e varfra në Kosovë.

Këngëtare, poete, autore tekstesh…

Si për të gjithë, edhe për të jeta nuk ka qenë e pa sfida, përkundër kësaj, Shqipja, veten e përshkruan si një person të fortë dhe të pavarur. Që herët ajo kishte pasion muzikën, letrat, shkrimin, madje siç tregon vet ajo, në moshë e rinisë ishte aktive në shumë aktivitete kulturore, ku prezantohej me recitale të poezive të ndryshme. Me këso aktivitetesh Shqipja kishte vazhduar gjatë shkollimit të saj fillor në vendin e lindjes në Suharekë. Deri me të mbaruar shkollimin fillor nuk kishte probleme me të sytë, gjendja i keqësohet vetëm pas përfundimit të shkollës fillore, gjë që i pamundëson vijimin e shkollimit më tej. Në moshën 19 vjeçare ajo vjen në Zvicër, ku edhe jeton aktualisht. Fillimet e saj, atë e gjejnë të angazhuar kohë pas kohe edhe si përkthyese, kryesisht duke ndihmuar mërgimtarët të cilët atë kohë vinin në Zvicër. Por ky nuk ishte i vetmi aktivitet për Shqipen, ajo tregon se arti ka qenë gjithmonë përcjellës në jetën e saj. Në sirtarin e saj, ajo ruan vargje të shumta të cilat i ka shkruar, siç janë poezi, tekste këngësh e tregime që kryesisht përshkruajnë jetën e saj, me të mirat dhe momentet e vështira nëpër të cilat ka kaluar. Për gjitha këto shkrime ajo tregon se ka pasur edhe oferta për t`i botuar, por deri më tani nuk ka gjetur botuesin më të përshtatshëm për të bërë këtë gjë.

Një pjesë e konsiderueshme e teksteve të saj, tashmë janë bërë pjesë e këngëve, të cilat këngë janë kompozuar nga vet Shqipja. Deri më tani ajo, ka të edituar dy albume të cilat përfshijnë balada, këngë folklorike si dhe disa tekste me muzikë argëtuese. Si për çdo artist tjetër, edhe për Shqipen kënga dhe shkrimi kanë qenë mundësi përmes të cilave ajo ka arritur të shfaqë botën e saj të brendshme. Arti për  të nuk mbaron me kaq. Ajo përveç tjerash, ka edhe një pasion tjetër, atë të krijimtarisë artizanale. Shqipja tregon se deri më tani, ka krijuar një sërë punimesh artistike. Për të, ky lloj arti është një arsye më shumë për t`i kushtuar kohën, ngase është një ndjesi e veçantë kur merret me te. Në pasionin e madh të krijimtarisë së saj, ajo ka edhe plane të tjera. Një rol filmi është në planin e saj konkret, filmi i cili sipas saj do të këtë një skenar të shkruar nga vet ajo, i cili do të përfshijë pjesë nga jeta e saj.

Në fokus, ndihmat për personat me probleme në shikim

Ëndrra e saj e hershme, së fundmi ka parë dritën duke u bërë realitet për Shqipe Kryeziun. Themelimi i shoqatës “Sytë kërkojnë dritë” është një mundësi përmes së cilës ajo mëton të ndjek vullnetin e saj për t`u ofruar sadopak ndihmë personave që kanë probleme me të shikimin. Duke qenë se edhe vet ajo vuan nga një problem i tillë, ka qenë ky motivi për të themeluar shoqatën. Ndihmat për këtë kategori të shoqërisë do të jenë dedikim për personat që jetojnë kryesisht në Kosovë.

Ajo thotë se të gjitha fondet që do të mblidhen do të shpenzohen në mjekimin dhe blerjen e pajisjeve themelore, të cilat janë të domosdoshme për këtë kategori të shoqërisë. Kontingjenti i parë, siç tregon Shqipja do të niset gjatë këtij fund viti, me ç`rast do të dërgohen pajisje bazë, për të cilat janë identifikuar si të nevojshme.

Themeluesja dhe kryetarja e shoqatës “Sytë kërkojnë dritë” me seli në Luzern, Shqipe Kryeziu, tregon se qëllim kryesor kanë ndihmën e personave me probleme në shikim. Sipas saj, gjendja jo e mirë ekonomike që ka aktualisht Kosova, ka bërë që ajo së bashku me bashkëpunëtorët të marrin këtë iniciativë për themelim të shoqatës. Pas kontakteve të para me shoqatat simotra në Kosovë, do të arrihet të identifikohen kërkesat që kanë personat e kësaj kategoria, në mënyrë që t`u ofrohet ndihma pikërisht aty ku kjo kategori ka më së shumti nevojë.

Interesimi për të ndihmuar shoqatën që ajo drejton, vjen nga shumë drejtime, duke përfshirë, institucione dhe individë të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar atë në gjitha drejtimet. Ndër planet e saj për të ardhmen, përmendet organizimi i një gala mbrëmje, në pjesën e parë të viti të ardhshëm, përmes së cilës shoqata do të bëjë përpjekje për të grumbulluar mjete për këto raste.

Shembulli saj, flet shumë për forcën e njeriut, ajo thotë se pavarësisht problemeve që ka njeriu, mund të arrihet të tejkalohen nëse problemin e marrim si të qenë. Me vullnet të madh, individi mund të arrijë të tejkalojë vështirësitë duke bërë të mundur të japë kontribut për shoqërinë në tërësi. Ajo tregon se për këtë do të investojë gjithë mundin e saj vetëm e vetëm që të ndihmojë personat me probleme në shikim.

Nuk mund të ketë ndjesi më të mirë sesa të arrish t`i dhurosh dikujt atë për të cilën ka më së shumti nevojë, dritën e syve. Ajo, ka besuar tek kjo sfidë, që është thjesht një përgjigje ndaj një nevoje shoqërore për personat me probleme në shikim.

Shqipe 5

Kontingjenti i parë i ndihmave niset këto ditë

Themelimi i shoqatës “Sytë kërkojnë dritë” është një mundësi përmes së cilës ajo mëton të ndjek vullnetin e saj për t`u ofruar sadopak ndihmë personave që kanë probleme me të shikimin. Duke qenë se edhe vet ajo vuan nga një problem i tillë, ka qenë ky motivi për të themeluar shoqatën. Ndihmat për këtë kategori të shoqërisë do të jenë dedikim për personat që jetojnë kryesisht në Kosovë. Ajo thotë se të gjitha fondet që do të mblidhen do të shpenzohen në mjekimin dhe blerjen e pajisjeve themelore, të cilat janë të domosdoshme për këtë kategori të shoqërisë. Kontingjenti i parë, siç tregon Shqipja do të niset gjatë këtij fund viti, me ç`rast do të dërgohen pajisje bazë, për të cilat janë identifikuar si të nevojshme.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/syte-kerkojne-drite-humanizmi-i-nje-gruaje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.

 Biografi e shkurtë:

  • Emri e mbiemriShqipe Kryeziu
  • Prejardhja:Suharekë
  • Vendi ku vepron:Lucern, Zvicër
  • Profesioni:aktiviste