Lajme

Treni u rikthye për Beograd

Treni sot është rikthyer për në Beograd, pasi autoritet kosovare nuk e lejuan të hyj në territorin e Kosovës, duke e konsideruar si tren ilegal

Në tren, donacion i Rusisë, i nisur dje në mëngjes nga Beogradi në drejtim të Mitrovicë nuk ka arritur të futet në Kosovë, duke qëndruar mbrëmë në Rashkë të Serbisë. Treni sot është rikthyer për në Beograd, pasi autoritet kosovare nuk e lejuan të hyj në territorin e Kosovës, duke e konsideruar si tren ilegal, që është nisur për të provokuar situatën edhe ashtu të brishtë në veriun e Kosovës.

Sipas medieve serbe, treni po kthehet për në Beograd, ndërsa të gjithë pasagjerët që ishin në tren, do rikthehen në kryeqytetin serb, disa të tjerë nga Rashka me autobusë kanë shkuar për Mitrovicë. Sipas serbëve, treni po nisej për Mitrovicë pas 18 vjetësh që kur ishte ndaluar.

Ky tren, që ishte donacion i Federatës Ruse, kishte mbishkrime serbe “Kosova është Serbi…etj, konsiderohet si provokim nga vet shtetit serb, pasi që nuk ishte lajmëruar Prishtina zyrtare për nisjen e këtij mjeti. Prandaj, duke u konsideruar ilegal, kryeministri Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi, angazhuan Njësitë Speciale (ROSU) të Policisë së Kosovës për ta ndaluar trenin në kufij.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit lidhur me paralajmërimet e qarkullimit të trenit nga Serbia për në Republikën e Kosovës (RKS), ka ndërmarr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit operacional, për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë e përgjithshme, në rastin konkret për parandalimin e qarkullimit të trenit ilegal për në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.

Dërgimi i Policisë në veri, ka irrituar autoritetet serbe në Beograd, të cilët ndalimin e trenit e konsiderojnë pengimi të lëvizjes së lirë. Ndërsa disa media serbe, duke u mbështetur në burimet e tyre në Beograd, thanë se Policia e Kosovës ka vendosur mina në binaret ka duhet të kaloj treni.

”Policia e Kosovës demanton fuqishëm të gjitha deklarimet e zyrtarëve politik serb dhe mediumet serbe, të cilat kanë deklaruar dhe publikuar informacione se kinse qytetarët e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë vendosur mjet shpërthyes me qëllim të parandalimit të futjes së trenit në Kosovë…Policia nuk ka hasur në asnjë mjet shpërthyes në dhe përgjatë hekurudhës në territorin e RKS-së”, thuhet në reagimin  Policisë.