CH-Ballkani

Vuçiq: Për Gjermaninë, Kosova është e shqiptarëve

“Çfarë domethënë ajo që tha Merkel? Domethënë se ajo na përkufizoi ashtu që Kosova është shtet i pavarur”, tha Vuçiq.

Presidenti serb ka reaguar pas deklaratave të djeshme të kancelares Angela Merkel se kufijtë e Ballkanit Perëndimor janë të paprekshëm. Ajo këto komente i bëri gjatë vizitës së kryeministrit boshnjak. Gjermania tashmë “na përkufizoi” në momentin kur e pranoi Kosovën sovrane dhe të pandarë, tha sot presidenti serb Aleksandar Vuçiq, si përgjigje ndaj pyetjes si ai sheh në qëndrimin e kancelares Angela Merkel se nuk ka ndryshim në kufijt e Ballkanit, raportoi Tanjug.

Vuçiq shprehu habinë se një pjesë e opinionit kishte kuptuar deklaratën e Merkel si porosi të re.

“Çfarë domethënë ajo që tha Merkel? Domethënë se ajo na përkufizoi ashtu që Kosova është shtet i pavarur”, tha Vuçiq, duke shtuar se njerëzit atë duhet ta kenë në mendje.

“Ata të cilët i gëzohen deklaratës së saj duhet të dinë se për Merkel, si dhe për tërë botën, me përjashtime të vogla, të gjithë  e konsiderojnë Kosovën si një territor gjithëpërfshirës, sovran dhe të pandashëm dhe se ky territor u përket shqiptarëve”, shtoi ai.

Sipas tij, “vetëm nga këndvështrimi ynë ekziston pyetje – e kujt është Kosova?

“Nga pikëpamja e tyre, ajo është punë e kryer”, tha Vuçiq.

Kosova njihet nga mbi 110 shtete, mes tjerash nga shumica e BE-së dhe NATO-s. Shtetet më të mëdha që nuk e kanë njohur Kosovën janë Rusia, Kina dhe Spanja në BE.