Bota

10 qytetet me shtëpitë më të bukura në Evropë

Nëse jeni ndier ndonjëherë të magjepsur pas dekorit francez, të hipnotizuar nga mermeri italian ose të frymëzuar nga minimalizmi skandinav, nuk jeni të vetmit

Në një kohë kur gjithmonë e më shumë njerëz po përpiqen të gjejnë mënyra për të sjellë pjesëza të botës në shtëpitë e tyre, ka një numër të pafund qytetesh dhe shtetesh që mund të jenë si shtëpitë tuaja ideale, pavarësisht nëse i keni vizituar apo jo.

Duke pasur këtë parasysh, platforma e krahasimit të shtëpive Uswitch.com vendosi të reduktojë kërkimin tuaj, duke identifikuar shtëpitë më piktoreske të Evropës. Kompania kreu një studim duke përdorur të dhënat e Pinterest për të përcaktuar se ku ndodhen shtëpitë më të bukura në Evropë sipas adhuruesve të dizajnit. Në fund të fundit, njerëzve u pëlqen të bëjnë “pin” në këtë platformë idetë e dekorit që preferojnë më shumë, për t’i pasur si referencë në të ardhmen, shkruan uswitch.com

Sipas këtyre të dhënave të marra nga Pinterest, Parisi zë vendin e parë për shtëpitë më të bukura në Evropë. Duke fituar me një mazhorancë të padiskutueshme votash, Uswitch gjeti 955 albume me 47,882 “pins” të dedikuara për shtëpitë parisiene që ndërthurin arkitekturën historike me dekorin modern dhe paletat e theksuara të ngjyrave.

Në vendin e dytë është kryeqyteti gjerman i Berlinit, me 256 albume dhe 17,825 “pins” për ndërtesat në qytetin historik. I përshkruar si një version më “i thjeshtë” i Londrës, kryeqyteti është i famshëm për stilin e tij eklektik, që do të thotë se shtëpitë ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga njëra zonë në tjetrën.

Kryeqyteti holandez i Amsterdamit zuri vendin e tretë. I famshëm për shtëpitë tradicionale buzë kanaleve të qytetit dhe fasadat tërheqëse të ndërtesave, ai ka edhe arkitekturë moderne të kohëve të fundit. Stili bashkëkohor vihet re në shtëpitë e të gjithë kryeqytetit. Ky stil ka tërhequr vëmendjen e qindra përdoruesve në Pinterest, pasi ka 180 albume dhe 9677 “pins” vetëm për shtëpitë e qytetit.

Edhe pse më parë është renditur si një nga vendet më të këqija për të jetuar si i huaj, ëndrrat për të jetuar në Greqi vazhdojnë të ekzistojnë në Pinterest. Studimi zbulon se përdoruesit e faqes kanë krijuar 177 albume të shtëpive në Athinë. Fotografitë e shtëpive në kryeqytetin grek janë bërë ‘pin’ gjithsej 13,607 herë.

Romanca dhe joshja tërheqin shumicën e njerëzve në qytetin italian të Venecias, ku ndërtesat e qytetit nuk bëjnë përjashtim. Në periudhën e studimit të Pinterest, kishte 158 albume të dedikuara për shtëpitë në këtë qytet italian dhe 8,748 “pins”.

Barcelona dhe Roma janë përkatësisht në vendin e gjashtë dhe të shtatë. Megjithëse shtëpitë në Romë kanë më shumë “pins” (8,680 kundrejt 6,004), janë krijuar më shumë albume që grumbullojnë fotografitë e shtëpive në Barcelonë (158 kundrejt 135).

Në vendin e tetë është Dublini, kryeqyteti i Irlandës. Ky qytet, i njohur për atmosferën e tij të qetë, është i dashur për shumë përdorues në Pinterest, me 105 albume të krijuara dhe 5,589 “pins” për shtëpitë e kryeqytetit.

Vendi i nëntë ndahet mes dy qyteteve, Edinburgut dhe Firences, me 69 albume të krijuara. Stili gotik i ndërtesave prej guri në kryeqytetin skocez të Edinburgut shton hijeshinë autentike të qytetit dhe është bërë “pin” 3,173 herë. Krahasuar me të, Firence ka më pak “pins” për ndërtesat e saj, por gjithsesi ka arritur të grumbullojë një shifër modeste prej 2100 “pins”.

Duke përmbyllur listën e 10 qyteteve më të bukura, në vendin e dhjetë është renditur Vjena, me 59 albume të dedikuara për fotografitë e shtëpive në kryeqytetin austriak. Fotot e fokusuara në stilin klasik vjenez të tavaneve të larta dhe mureve të vjetra janë bërë “pin” 2,716 herë në platformën Pinterest.

/uswitch.com/


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI