Shqipëria

100 vota kundër Metës, miratohet rezoluta në Kuvend

Me 100 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime është votuar pak minuta më parë në Parlament rezoluta kundër vendimit të presidentit Ilir Meta për të shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale.

Ndër të tjera, në rezolutën e miratuar me votat e deputetëve të Partisë Socialiste dhe disa prej deputetëve të ‘opozitës së re’ thuhet: “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë, duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”.

Rezoluta u votua pas 5 orësh debat nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës.

Kryeministri Edi Rama tha sot nga foltorja e Parlamentit se me vendimin e tij, Ilir Meta i ka kaluar të gjitha kompetencat, ndërsa nuk kurseu as akuzat.

“Ky Kuvend sot duhet t’u drejtohej me një rezolutë të gjithë atyre shteteve për çeljen e negociatave. Por, ky Kuvend sot është i detyruar të merret me një akt të papërgjegjshëm brutal të Ilir Metës. E pyes veten… Çfarë kërkon Meta më shumë nga Shqipëria, i cili pa mbushur 50 vjet e ka bërë si askënd, si askush tjetër në histori”, tha Rama.
Rama tha se socialistët nuk do të tërhiqen nga 30 qershori, shkruan TCH, përcjell Albinfo.ch.

“Nuk ka asnjë që na tund nga 30 qershori, jemi detyruar ta pranojmë si të keqen më të vogël për demokracinë e re zgjedhjen e gabuar të kundërshtarëve tanë për të na lënë në garën vendore me një kandidat në pjesën më të madhe të bashkive”, deklaroi ai.