Lajme

12 shtetet që e kanë ndaluar Bitcoin-in

Që prej futjes së tij në treg në vitin 2009, Bitcoin ka qenë produkt polemikash dhe e njëjta gjë ka ndodhur me të gjitha kriptovalutat që e ndoqën.

Edhe pse është kritikuar gjerësisht për paqëndrueshmërinë e tij, përdorimi i Bitcoin në transaksione të jashtëligjshme si dhe sasia e tepruar e elektricitetit që duhet për ta ‘gërmuar’ atë, janë parë nga shumë përdorues, sidomos në vendet perëndimore, si një port i sigurt gjatë një stuhie ekonomike.

Por, ndërkohë që shumë njerëz po mbështeten te kriptovalutat qoftë në formën e investimit apo kursimeve, problematikat e mësipërme po përkthehen në kufizime të ndryshme kudo në botë.

Statusi ligjor i Bitcoin-it dhe kriptomonedhave të tjera (si Etherium, LTC, Ripple etj.) varion nga shteti në shtet.

Edhe pse shumica e shteteve në botë nuk e kanë bërë vetë Bitcoin-in të jashtëligjshëm, statusi i tij si formë pagese apo komoditeti ndryshon.

Këto janë shtetet që kanë një marrëdhënie jo të mirë me Bitcoin-in.

Algjeria

Momentalisht Algjeria e ndalon përdorimin e kriptovalutave, qoftë për blerje, shitje apo edhe vetë zotërimin e tij.

Bolivia

Që prej vitit 2014, Bolivia e ka ndaluar tërësisht përdorimin e Bitcoin-it.

Kina

Zyrtarë të lartë kinezë kanë ngritur shpesh alarmin kundër përfshirjes së qytetarëve të tyre në tregun e aseteve digjitale, duke iu referuar atyre si ‘asete spekulative’.

Por mundimet e Kinës për të nënvlerësuan Bitcoin – një valutë të decentralizuar që vepron jashtë kontrollit të qeverive apo institucioneve – shihet nga kritikët si një përpjekje për të promovuar valutën e tyre elektronike, Yuan-in Digjital.

PBoC është e para bankë qendrore në botë që ka hedhur në treg valutën e saj digjitale, duke e bërë më të lehtë monitorimin e transaksioneve të kryera nga qytetarët.

Kolumbia

Në Kolumbi institucionet financiare nuk lejohen të pranojnë asnjë transaksion me Bitcoin. Qeveria i paralajmëroi të gjithë institucionet financiare në vitin 2014, se nuk mund t’i “mbronin, investonin, ndërmjetësonin apo menaxhonin paratë virtuale”.

Egjipti

Trupa islamike kryesore në Egjipt, Dar al-Ifta, lëshoi një dekret në vitin 2018 duke e klasifikuar Bitcoin si ‘haram’ – diçka që shihet si e ndaluar nga legjislatura islame.

Indonezia

Që prej vitit 2018, edhe banka qendrore e Indonezisë miratoi rregullore që e ndalojnë tërësisht përdorimin e kriptovalutave si formë pagese.

Irani

Bitcoin ka një marrëdhënie komplekse me regjimin iranian. Në mënyrë që të shmangë ndikimin e keq të sanksioneve ekonomike, Irani është mbështetur tek praktikat fitimprurëse të ‘gërmimit’ të Bitcoin, në mënyrë që të financojë importet.

Edhe pse Banka Qendrore e ndalon tregtinë me kriptovaluta që ‘gërmohen’ jashtë vendit, ‘gërmimi’ i Bitcoin brenda për brenda vendit në fakt inkurajohet dhe nxitet me paketa ekonomike.

Rreth 4.5% e gërmimit të Bitcoin në gjithë botën ndodh në Iran, që sipas analizave arrin një vlerë mbi $ 1 miliard dollarë.

Në mënyrë që industria e tyre të lulëzojë, Irani u ofron ‘gërmuesve’ të licencuar energji elektrike të lirë, por i detyron ata t’ia shesin kriptomonedhat vetëm Bankës Qendrore.

Nepali

Nepali e deklaroi të jashtëligjshëm Bitcoin që prej gushtit 2017.

Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut është i vetmi shtet evropian që e ka ndaluar tërësisht përdorimin e kriptovalutave.

Rusia

Edhe pse kriptovalutat nuk janë të jashtëligjshme në Rusi, kjo temë ka prodhuar një konflikt të vazhduar në vend.

Rusia miratoi një ligj në vitin 2020, i cili për herë të parë i vendosi kriptovalutat në një kategori si pronat që i nënshtrohen taksimit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka lidhur vazhdimisht kriptovalutat me aktivitetin kriminal, duke kërkuar më tepër vëmendje ndaj transaksioneve ndërkombëtare.

Në korrik, Prokurori i Përgjithshëm propozoi një legjislacion që do ta bënte të mundur për policinë të konfiskojë kriptomonedha të përfituara në mënyrë të jashtëligjshme.

Turqia

Shumë qytetarë turq u mbështetën tek kriptovalutat, teksa lira turke po humbte vlerën me ritme të shpejta vitin e kaluar. Ndërsa niveli i përdorimit të kritpovalutave në Turqi është ndër më të lartit në gjithë botën, vendosja e ligjeve të reja erdhi me shpejtësi këtë vit, teksa inflacioni kapi nivele rekord këtë prill.

Në prill 2021, Banka Qendrore turke miratoi një ligj që e ndalon përdorimin e çdo lloj kriptovalute në mënyrë direkte apo indirekte.

Të nesërmen, presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan akuzoi lidhjet e kriptovalutave me skemat e pastrimit të parave apo edhe financimit të terrorizmit.

Vietnami

Banka Shtetërore e Vietnamit ka deklaruar jashtligjshmërinë e Bitcoin-it dhe çdo lloj kriptovalute tjetër duke vendosur gjoba deri në €7,445 pranimin apo lëshimin e tyre.

Sidoqoftë, qeveria nuk e ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në bursë duke përdorur Bitcoin apo edhe zotërimin e tyre si asete./euronews.al