Kosova

145-vjetori i Lidhjes së Prizrenit mbledh krerët shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës

Në Prizren është shënuar 145-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në një ceremoni që mblodhi krerët e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, u përcollën mesazhe të bashkëpunimit kombëtar, përcjell albinfo.ch.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh se kjo ditë shënon bashkimin e shqiptarëve.

“Pikërisht në këtë datë, më 10 qershor 1878, patriotët shqiptarë  u tubuan nga të katër anët e dëshmuan vetëdije të lartë kombëtare, duke mos pranuar që të mbeteshin nën okupim, por as të mbeteshin pre e shteteve fqinje gllabërues”, tha presidentja Osmani.

Ajo më tej shtoi se Lidhja ka shërbyer si model i përhershëm, nga i cili janë frymëzuar breza të tërë intelektualësh dijetarësh, shkrimtarësh e politikanësh e nga i cili kanë buruar projekte të tjera përbashkuese të tipit nacional kulturor, sikurse ai i vitit të ’90-ta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Pjesëmarrës në manifestimin qendror ishte edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Ai tha se Lidhja e Prizrenit kundërshtoi copëzimin e trojeve.

“Historia e kombit tonë të lashtë është e pasur me momente, të cilat na mbushin me krenari, për atë çka ne shqiptarët jemi dhe vlerat që ne përfaqësojmë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme, ku patriotët vizionar u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare, kundër shtypjes dhe sundimit. Ishte kjo Lidhje që punoi me të gjitha forcat për ta afirmuar kombin tonë dhe për të kundërshtuar copëzimin e trojeve etnike shqiptare. Ishte kjo besëlidhje që projektoi krijimin e një shteti shqiptar të lirë dhe të pavarur”, u shpreh ai, përcjell albinfo.ch.

Për bashkëpunim mes Kosovës e Shqipërisë bëri thirrje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Besnikërisht rreth Lidhjes, mund të avancojmë në rrugën tonë për forcimin politik të shteteve tona, bashkë me aleatët tanë, amerikanë dhe evropianë”, është shprehur Kurti, përcjell albinfo.ch.