Lajme

25-vjetori i SHKA “DARDANIA”, në nëntorin e përlotur nga tërmeti në Shqipëri

Mblidhen edhe mjete financiare nga shënimi i 25-vjetorit të saj, në vlerë prej 2760 Fr.- nga të pranishmit

Edhe përkundër rrethanave të vështira të popullit tonë këto dita, SHKA  “Dardania” nga Winterthuri kishte përgatitur me kohë festën e 25-vjetorit të themelimit të saj dhe festën e 28 Nëntorit, mandej Festën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe festën e Flamurit Kombëtar.

Mirëpo lëkundjet sizmike që ranë më 26 nëntor në Durrës dhe Thumanë preken thellë zemrat e popullit shqiptar në përgjithësi, sepse përpos dëmeve të konsiderueshme materiale, mori me vete edhe 52 viktima, dhe me këtë popullin tonë e kaploi një dhimbje për humbjen e njerëzve, edhe përkundër Festave të Nëntorit që ishin në prag, ato u mbajtën shumë simbolike dhe krejt ndryshe nga herave të tjera.

Po ashtu shumë nga manifestimet u anuluan anekënd botës shqiptare, por pati edhe të tilla që festën e nëntorit e shndërruan në solidaritet, sikur edhe vetë SHKA “Dardania” që kishte organizuar një kënd të veçantë dhe kishte shftytëzuar konton e saj për grumbullimin e mjeteve financiare në formën elektronike, për ata që do të ndihmojnë drejtpërdrejt të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Gjithashtu me një  program artistik kushtuar momentit, edhe pse kohë e shkurtër, ato u modifikuan për momentin e fundit dhe dolen për t’u solidarizuar edhe me viktimat dhe me qëllimin e grumbullimit të ndihmave financiare për të prekurit.

Me një film dokumentar filloi kështu shënimi i 25-vjetorit të themelimit të kësaj qendre kulturore, e cila përshkroi në 10 minuta gjithë veprimtarinë e saj në periudha të ndryshme, qofshin edhe ato të luftës së fundit, ku u është kënduar heronjve dhe të rënëve të UÇK-së, e cila solli lirinë bashkë me miqtë tanë.

Më pas stafi artistik kishte përgatitur një monolog përcjell me një vjershë të përgatitur enkas për këto momente nga Albulena Kqiku – Cakolli, e cila përloti sallën me interpretimin e saj dhe përcjellja e gjithë grupit të vallëzimit me 51 qirinjë të ndezur në shenjë respekti për viktimat e tërmetit, ku përcollën mesazhe dhembje për viktimat duke krijua një heshtje të thellë përcjellë me një muzikë në prapavijë, e që përshkrou vërtet një qetësi të pa pare deri sa u krijua edhe një zemër e madhe në skenë me 51 qirinjtë, për të vazhduar më pas me himnin kombëtar, e më pas për ta hapur shënimin e 25-vjetorit po ashtu nga moderarorja Albulena Kqiku, me çka ftoi kryetarin e shoqërisë t’i përshëndesë të pranishmit dhe ta hapë shënimin e 25-vjetorit, ku ky i fundit, menjëherë kërkoi një minutë heshtje për të gjitha viktimat e tërmetit të fundit, duke kërkuar po ashtu mirëkuptim për rastin dhe solidarizimin me aksionin që po përgatitej në një kënd të hollit të sallës, dhe në binë me  një baner të madh për grumbullimin e mjeteve financiare, që në fund rezultoi të grumbulloheshin  2760 fr.- për të prekurit në Shqipëri.

Më pas, nën modifikim të programit u këndua një këngë për Dardaninë nga okestra e saj dhe, dhe në shenjë të ndihmave të shtetit të Zvicrës po ashtu ishte përgatitur një valle zvicerane enkas edhe për zviceranët që ishin prezent në sallë, për të vazhduar me Vallen e Zanave nga grupi i vajzave që në një formë përcollen mesazhin se zanat janë ato që ishin të shqetësuara me momentin që u krijua këto ditë dhe po mundoheshin të ngushllojnë edhe përmes valleve të tilla skenike.

Natyrisht se grupi i fëmijëve performuan me grup vallesh korografike, të cilët lanë mbresa të mëdha te publiku, edhe për kundër momentin, ata ishin aq modest sa edhe vallëzimet i bënin me një respekt të veçantë.

Krejt në fund anëtarët kishin përgatitur një befasi për kontributin e kryetarit tash e 25 vjet, edhe pse ky i fundit iu shmang ndarjes së mirënjohjeve që kishte përgatitë me kohë, për të gjithë ata dhe ato që kontribuan me vite në këtë shoqëri, për ta shtyrë në një datë tjetër  manifestim dhe ndarjen e mirënjohjeve në 25-vjetorin e saj. /Albinfo.ch