Koronavirusi: çast pas çasti

26 të vdekur pas vizitës së “babadimrit” të infektuar në një shtëpi të pleqve

Aktori që ka luajtur Plakun e Krishtlindjes (Santa Claus) kishte qenë i infektuar me koronavirus kur kishte vizituar shtëpinë e pleqve në provincën e Antwerpenit

Pasoja të rënda tragjike pati një festim me “Babadimrin” (Santa Claus) në një shtëpi të moshuraish në Belgjikë.

Në Mol të Belgjikës, pas një vizite që një Santa Claus kishte bërë në fillim të dhjetorit në një shtëpi të pleqve, të paktën 26 banorë të atyshëm kanë vdekur si rezultat i infeksionit me koronavirus, shkruan dpa, duke iu referuar mediave belge.

Vërtetësia e këtij lajmi është konfirmuar të premten nga zëdhënësi i autoritetit shëndetësor përgjegjës, Joris Moonens, për agjencinë gjermane të shtypit (DPA).

Aktori që ka luajtur Plakun e Krishtlindjes (Santa Claus) kishte qenë i infektuar me koronavirus kur kishte vizituar shtëpinë e pleqve në provincën e Antwerpenit, transmeton albinfo.ch.

Më vonë, infeksione me të njëjtin lloj virusi janë zbuluar midis banorëve dhe punonjësve në institucionin me 179 të moshuar, ka thënë Moonens.

Agjencia e lajmeve Belga ka raportuar 85 teste pozitive të koronavirusit midis banorëve dhe 40 të tjera midis stafit.