Kosova

NZZ: Demokracia në Kosovë, më funksionale se ajo në Shqipëri dhe Serbi

Krahasuar me Serbinë dhe Shqipërinë, ndryshimi demokratik i pushtetit në Kosovë po funksionon më mirë dhe kjo ka të bëjë me një shoqëri civile jokonformiste

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pati për pasojë shpalljen e zgjedhjeve të reja, është një lajm i mirë për Kosovën dhe për demokracinë e vendit.

Kështu, përveç opozitës së deritashme ksovare, thotë të paktën edhe gazeta prestigjioze zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, gjegjësisht kolumnisti dhe ish korrspondenti i saj për Ballkanin, Andreas Ernst në komentin e botuar sot në këtë gazetë, shkruan albinfo.ch.

“Demokracia e Kosovës po dëshmohet më e fortë se sa pritej”

Krahasuar me Serbinë dhe Shqipërinë, ndryshimi demokratik i pushtetit në Kosovë po funksionon më mirë dhe kjo ka të bëjë me një shoqëri civile jokonformiste.

Kjo është e mirë edhe për arsye politike, sepse qeveria Hoti nuk ka arritur pothuaj asgjë në muajt e fundit. Për luftimin e  pamjaftueshëm të koronës mund të akuzohen edhe shtete më të pasura dhe të organizuara më mirë se Kosova. Por stafi i Hotit ishte po aq i papërgatitur për të trajtuar deficitet e mëdha në sistemin shëndetësor dhe atë arsimor, transmeton albinfo.ch gazetën zvicerane.

Kreu i qeverisë gjithashtu nuk ishte bindës në negociatat e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Në këtë kontekst, pavarësia e demonstruar e Gjykatës Kushtetuese lavdërohet nga disa vëzhgues të huaj si një sukses që i referohet “shtetndërtimit”, me meritë të perëndimit. Gjykatësit e kësaj gjykate kanë sfiduar përpjekjet për presion nga politika dhe i janë bindur ligjit.

Sigurisht: kushtetuta kosovare dhe juridiksioni i saj, si e gjithë struktura institucionale, janë krijuar gjatë kohës së Protektoratit Perëndimor, pas luftës së vitit 1999. Ekspertët e huaj dhe politikanët perëndimorë ishin përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e saj.

Por Perëndimi nuk siguroi vetëm pajisjen institucionale (në këtë rast, “harduerin”) për shtetin e ri. Ai gjithashtu kryesisht ka programuar edhe “softuerin” e tij, praktikën politike, përcjell albinfo.ch. Dhe askush nuk mund të jetë krenar për këtë rezultat. Sistemi operativ bazohej në një transaksion shkëmbimi: kasta e politikanëve që dolën nga UÇK garantonte stabilitetin, ndërsa mbrojtësit nga OKB dhe më vonë nga BE mbyllnin njërin sy kur politikanët  pasuroheshin dhe më në fund kapën shtetin si plaçkë.

Korrupsioni në Kosovë nuk ka lulëzuar përkundër mbikëqyrësve ndërkombëtarë, por edhe falë tyre (bashkë me ta)

E vetmja forcë shoqërore që ka luftuar këtë bashkëpunim për vite me radhë është Vetëvendosja – së pari si lëvizje proteste me Albin Kurtin karizmatik si udhëheqës dhe më vonë si parti. Vetëvendosje nuk është vetëm një lëvizje për të drejtat civile. Ajo ndjek një linjë rreptësisht nacionaliste dhe ka si qëllim afatgjatë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për një gjë të tillë, megjithatë, do të duhej ndryshuar kushtetuta e diktuar nga Perëndimi.

Kjo parti nuk i ka ikur as ushtrimit të dhunës në parlament disa herë dhe ka hedhur granata me gaz lotsjellës për të parandaluar ligjet që nuk i pëlqenin.

Stili i udhëheqjes së Kurtit është autoritar. Ai priret të jetë kokëfortë, gjë që shpesh ka çuar në fërkime me bashkëveprimtarët e tij. Por ai nuk është i korruptuar. Duket se tundimi për t’u pasuruar përmes pushtetit politik atë e lë indiferent. Kjo e bën Kurtin të jashtëzakonshëm dhe kjo është një arsye e rëndësishme pse shumë të rinj kosovarë, por edhe pjesë të mëdha të diasporës të shpërndara në të gjithë Evropën, e përkrahin atë.

Nëse krahasoni Kosovën me vendet fqinje, Shqipërinë dhe Serbinë, vërehet që demokracia funksionon më mirë në shtetin e ri ish-protektorat se në shtete e përmendura, transmeton albinfo.ch gazetën NZZ. Autokratët e vendosur në Beograd dhe Tiranë që dominojnë parlamentin, gjyqësorin dhe mediat, janë aq fort të instaluar në pushtet sa që ndryshimi i pushtetit atje shihet si i pamundur.

Edhe në Kosovë, gjyqësori është i dobët dhe i paguximshëm. Por vendimet gjyqësore si ky që u mor të hënën janë gjithmonë të mundshme në Kosovë, dhe falë tyre përsëri mund të shtrohet çështja e pushtetit.

A lidhet kjo me trashëgiminë e protektoratit perëndimor? As kjo nuk mund të përjashtohet. Por diçka tjetër është përcaktuese këtu. Me Vetëvendosjen, Kosova ka një parti, mesazhi i së cilës mbledh të pakënaqurit dhe i mobilizon ata vazhdimisht kundër forcave të etabluara. Ajo e ka bërë këtë për shumë vite. Një shoqëri civile po rritet shumë më fuqishëm në Kosovë sesa në fqinjësi.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI