Shqipëria

80 pushues polak helmohen në Vlorë

Rreth 80 pushues polak, shumica prej të cilëve adoleshentë, janë helmuar mbrëmjen e së premtes në Vlorë.

Ata dyshohet se konsumuan ushqim kur udhëtonin me anije në zonën e Karaburunit.

Mbi 25 prej tyre janë duke u trajtuar në spital, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Drejtoresha e Spitalit të Vlorës, Bruna Mersini thotë se turistët janë të gjithë të moshave 14-15 vjeç dhe janë paraqitur me çrregullime gastrointensinale, por ende nuk dihen shkaqet e helmimit, shkruan Top Channel.

“Situata ka ardhur pasi këta fëmijë kanë udhëtuar gjithë ditën, pasi kanë ardhur nga Shkodra që prej mëngjesit dhe kanë marrë anijen për në ishullin e Karaburunit. Në momentin që na vjen një person me çrregullime gastrointensinale, fillojmë hetimin. Është hetim epidemiologjik dhe gjithë skuadra e hetimit është duke kryer analizat përkatëse dhe shumë shpejt do të dalim në një konkluzion. Këta janë fëmijë, edhe vapa, edhe qëndrimi në diell në Karaburun, mund të jetë një arsye e dytë që ka shkaktuar situatën. Kështu që pa dalë analizat, pa dalë rezultatet e para, pa u kryer hetimi, ne nuk mund të japim një konkluzion. Gjendja shëndetësore e tyre është nën kontroll, si çdo lloj shqetësimi tjetër gastrointensinal”.

Një tjetër autobus me rreth 50 turistë që kërkojnë trajtim ka mbërritur në spital, por Drejtoria e Spitalit të Vlorës njofton se nuk ka kapacitetet e mjaftueshme, ndaj disa nga pacientët do të dërgohen drejt Spitalit Rajonal të Fierit, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, drejtori i AKU-së Ani Binaj, është shprehur se ka nisur hetimi për rastin. Për mediat, ai tregon se ka nisur gjurmueshmërinë dhe një ekip është nisur drejt anijes ku turistët konsumuan ushqim.