Lajme
Me nderime u varros poeti Ali Podrimja
Me nderime të larta, të enjten në Prishtinë është varrosur poeti Ali Podrimja, i cili ndërroi jetë javën e kaluar në Francë
Arkivoli me trupin e tij u soll nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku për dy orë iu bënë homazhe nga kolegë, qytetarë e miq të veprës së tij nga të gjitha hapësirat shqiptare, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës e Mali i Zi.Në ceremoninë mortore morën pjesë familjarë, miq dhe qytetarë të shumtë të jetës publike, ndër të cilët anëtarët e ASHAK, të shoqatave të shkrimtarëve, miq të fjalës poetike nga Shqipëria, ndër ta Xhevahir Spahiu, Sadik Bejko, Visar Zhiti, Bardhyl Londo. Kishin ardhur edhe zyrtarë nga Kosova e Shqipëria, ndër ta ministrat e Kulturës, Memli Krasniqi e Aldo Bumçi, përfaqësues të institucioneve shtetërore nga të dy anët e kufirit etj.I fundit nga poeti Ali Podrimja u nda miku i tij, akademiku e kritiku letrar, Ali Aliu, miku e kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Basri Çapriqi të cilët kujtuan vlerën universale të vargut podrimian, me të cilin ai e bëri kombin të njohur thuaja në të gjithë botën. Në emër të familjes, foli nipi i të ndjerit, Genti Salihu, i cili e cilësoi atë njeri që jetoi për poezinë e vet, por gjithnjë të kujdesshëm edhe për fëmijët, nipat, mbesat e bashkëshorten, që do t’u mungojë dhe të cilët do të ngushëllohen me veprën që ua la. Kori i burrave të Gjakovës e përcollën poetin me këngën “Lamtumirë”.
Para se të varrosej, gjatë ditës së enjte, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që nga ora 12:00 kanë filluar homazhe për poetin Ali Podrimja. Përveç atyre me të cilët u shoqërua e bashkëpunoi, përveç miqve të fjalës së tij poetike, homazhe bënë edhe zyrtarë më të lartë vendit, të të gjitha institucioneve, të shoqatave dhe konfesioneve fetare. Ishin edhe shumë bashkëqytetarë të fëmijërisë së tij nga qyteti i lindjes, Gjakova, si dhe nga të gjitha qytetet e Kosovës.Ata përveç nderimit me përkulje para arkivolit me trupin e pajetë të poetit kombëtar të madh, ngushëllonin edhe familjen. Heshtja mortore thyhej nga zërat në sfond me vargjet e poetit kushtuar jetës, vdekjes, ngadhënjimit e lirisë, gjeografisë së atdheut nga Mitrovica deri në Çamëri, Ulqini e Presheva si dhe diaspora.Trupi i pajetë i poetit kosovar Ali Podrimja i cili u gjet i vdekur të shtunën në Francë, është kthyer në Kosovë të enjten në mëngjes, në Aeroportin “Adem Jashari” nëpërmjet linjës ajrore “Swiss Air”, fluturim ky i nisur nga Cyrihu i Zvicrës. Podrimja do të varroset sot pasdite në varrezat e qytetit të Prishtinës.
Trupin e poetit kosovar që tejkaloi përmasat kombëtare, e ka shoqëruar gjatë gjithë kohës djali i tij, ndërsa në tokën kosovare arkivolin e mbështjellë me flamurin kombëtar, e kanë pritur anëtarët e familjes së ngushtë, gruaje Fitorja, djali Dreni dhe vajza Donika, si dhe anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.Podrimja kishte humbur kontaktet me kolegët dhe miqtë e familjarët e tij nga data 18 korrik, ndërsa tri ditë më vonë është gjetur i vdekur, pa shenje dhune, në një zonë malore, 4 kilometra afër qytetit Lodeve ku po mbahej mitingu i poezisë “Voice of the Mediterranea”. Ky takim i poetëve ishte arsyeja që Podrimja kishte udhëtuar drejt Francës.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar











