CH-Ballkani

Kocias do vizitojë Beogradin, Ohrin dhe Prishtinën

Shefi i diplomacisë greke Kocias do udhëtojë në Beograd, Ohër dhe Prishtinë.

Prej të martës, ministri i jashtëm grek Nikos Kocias do fillojë turin ballkanik, kurse të enjten (12 prill) do aterrojë në Ohër për të biseduar edhe njëherë me kolegun e tij maqedonas, Nikola Dimitrov. Sipas së përditshmes greke Kathimerini, Kocias nesër do të realizojë takime në Beograd, në enjten në Ohër dhe më pas në Prishtinë.

“Në takimin në Ohër të dy ministrat e Punëve të Jashtme edhe njëherë do të bisedojnë për çështjet e hapura me qëllim që të gjejnë zgjidhje. Deri tani, të dy anët kanë arritur pajtueshmëri që emri të ketë shtesë gjeografike, por mbesin çështjet për të cilat duhet biseduar, siç janë, ndërrimi i Kushtetutës së IJRM-së, gjë që e kërkon Athina, përdorimi i emrit të jetë Erga Omnes, gjegjësisht emri i ri të ketë përdoshmëri ndërkombëtare, por edhe për çështjet rreth gjuhës dhe identitetit,” përcjell albinfo.ch.

Përndryshe marrëveshje duhet të ndodhë përpara datave kritike 28-29 qershor kur është Samiti i BE-së, dhe 11-12 korrik kur do të mbahet Samiti i Natos. Nëse zgjidhet kontesti i emrit, Maqedonia çbllokon rrugën e euro-integrimeve.

Pas Ohrit, Kocias do fluturojë drejt Prishtinën, me gjasë për të ndërmjetësuar në konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë dhe për t’u parashtruar disa propozime serbe lidershipit kosovar.