Lajme
Shteti i harron të dhunuarat e luftës
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për statusin e veteranëve të UÇK-së, por ligjvënësit as që e zunë në gojë çështjen e 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës
Lufta e fundit në Kosovë ka lënë pas gjurmë që për disa njerëz do të mesin në kujtesë gjithë jetën. Përveç 11 mijë viktimave dhe 1700 të zhdukurve, janë rreth 20 mijë gra shqiptare që u keqtrajtuan seksualisht nga ish-forcat militante e paramilitare serbe. Ndërsa 15 vjet pas luftës, kjo kategori është harruar nga shteti.
Kërkesën për t’i thyer tabut rreth grave që u shfrytëzuan seksualisht, ka ardhur vetëm pasi Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për statusin e veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ligjvënësit miratuan këtë ligj, por nuk i përmendën gratë e dhunuara. Të cilat u shfrytëzuan si mjet lufte.
Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, thotë se këtu s’ka gjë të keqe, pse është bërë kjo ndarje në aspektin ligjor.
“Realisht, gratë e dhunuara gjatë luftës, do të jenë në Ligjin për viktimat e luftës, dhe jo në Ligjin për veteranët të luftës së UÇK-së. Pas një debati që ka ndodhur në Parlament, është konsideruar që këto dy kategori duhet të ndahen, dhe gratë e dhunuara gjatë luftës do të jenë në Ligjin për viktimat civile”, thotë Kadaj-Bujupi.
Ajo vlerëson se Ligji për viktimat civile është i vonuar dhe ende nuk është sjell për miratim në Kuvend, raporton REL. “Mendoj se nisma e tanishme është vonë, por nganjëherë më mirë vonë se kurrë”, ka thënë Kadaj- Bujupit, sipas të cilës, ndarja e kategorive të luftës, nuk çon peshë.
“Nuk ka ndonjë rëndësi, do të thotë, ndarja e ligjit. Ligji për veteranët bën fjalë për njerëzit, të cilët në front kanë bërë luftën, do të thotë kanë bërë luftë çlirimtare. Ndërkaq, Ligji për civilët, Ligji për viktimat civile të luftës, nënkupton të gjithë ata civilë dhe të vrarë, të cilët janë vrarë ose torturuar në forma të ndryshme, e deri te dhunimi”, konsideron ajo.
Por, ndryshe mendon kolegia e saj deputete Vjollca Rexhepi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila thotë se nga aspekti moral, kjo është tejet e gabueshme.
“Në Kuvendin tonë, është debatuar më herët edhe për gratë e dhunuara dhe ato ende nuk janë pjesë e këtyre mbështetjeve që po u bëhen strukturave të tjera, siç janë veteranët, të burgosurit politikë dhe invalidët e luftës”.
“Moralisht nuk kemi të drejtë të mos i përfshijmë këto viktima civile të luftës në ligje, ashtu siç i kemi përfshirë të gjitha këto kategori që i përmenda”, thotë Rexhepi.
Sipas deputetet Rexhepi, partia e saj ka mbështetur edhe kompensimin në çfarëdo forme të kësaj kategorie të luftës. Ajo, fajin për këtë ndarje të viktimave, ia hedh Qeverisë, për të cilën thotë se nuk e ka parë të arsyeshme që gratë e dhunuara t’i fusë në një ombrellë ligjore dhe t’u ofrojë mbështetje.
Por, një bashkëpartiak dhe koleg i saj deputet, Armend Zemaj, fajin për këtë gjë ua lë vetë deputetëve, e jo ekskluzivisht vetëm Qeverisë.
Zemaj rrëfen se gjatë debatit të para një viti, shumë deputetë kishin dhënë vërejtjet e tyre për ndarjen e këtyre dy ligjeve, por se e gjitha duket se është lënë në harresë.
“Në këtë ligj, e kemi theksuar atëbotë, por kanë qenë më shumë të meta, e disa kanë qenë përmbajtjesore. Ndërsa, kjo çështje jo me vullnetin e deputetëve ka mbetur jashtë, apo ta them, është anashkaluar. Por mendoj që komisioni funksional duhet ta ketë parasysh, kategorizimin”, thotë ai.
Nazlie Bala, ishte rrahur në mars të vitit të kaluar, para derës së shtëpisë së saj, një javë pasi ishte kërcënuar se do të merrte plumb në kokë, nëse nuk e tërheq kërkesën e saj. Një vit më vonë, gjatë debatit të së enjtes në Kuvend, deputetët miratuan projektligjin e veteranëve të UÇK-së.
Kur pyetet Zemaj se a u harruan viktimat e dhunuara, thotë se ajo që ndodhi s’u bë si duhet. “Unë mendoj që është e padrejtë që ka ndodhur, domethënë që nuk është diskutuar ajo pjesë për gratë e dhunuara, për shkak të natyrës, specifikave, dhe temave që kanë qenë”, ka thënë Zemaj.
Javën që shkoi, më 7 mars presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, themeloi Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Me këtë rast, presidentja tha se Këshilli u themelua me dekret të veçantë me synim bashkërendimin e aktiviteteve për t’i rehabilituar të mbijetuarit e dhunës gjatë luftës.
E-Diaspora
-
Në Berlin mbahet eventi “Albanian Startups Diaspora Roadshow” Në Berlin u mbajt eventi që bashkoi startup-et shqiptare dhe diasporën... -
Amerikë
Studenti shqiptar diplomohet në Akademinë prestigjioze të Detarisë së SHBA-së -
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër -
Zvicër
Ambasada e Kosovës në Bernë me njoftim të rëndësishëm për votimin me postë në Zvicër -
Milano
Edon Zhegrova viziton Konsullatën e Kosovës në Milano
Jeta në Zvicër
-
Dy të lënduar pas një zjarri të madh në një banesë në Cyrih Rreth 30 persona u evakuuan gjatë natës, ndërsa apartamenti i përfshirë nga flakët është bërë i... -
Gjiganti amerikan farmaceutik MSD zhvendos 750 punonjës në selinë e re në Lucern -
Zvicra, ndër të parat në botë me teknologjinë e anijeve elektrike “fluturuese” -
Kolona në tunelin e Gotthardit arrin deri në 16 kilometra -
Qiramarrësit afatgjatë paguajnë deri në 90% më pak qira se qiramarrësit e rinj në Zvicër












