Lajme
500 mijë kosovarë jetojnë me kredi
Shumica e qytetarëve që kanë nevojë për mjete financiare, qoftë për investime pushime, madje edhe për dasma, iu drejtohen bankave
Marrja e kredisë, është bërë për qytetarët e Kosovës një domosdoshmëri dhe pothuaj një mënyrë jete, në kushtet e vështira ekonomike nëpër të cilat po kalon Kosova.
Afër 500 mijë është numri i qytetarëve që kanë kredi në bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, me një vlerë prej 1.8 miliard eurosh.
Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, shuma më e lartë e kredive është për tregti, prej mbi 647 milionë eurosh dhe kredi individuale, ku përfshihen kreditë familjare, amvisëri, kredi konsumuese, të cilat arrijnë në 517 milionë euro, shkruan radio Evropa e Lirë.
Më pas radhiten kreditë për prodhim, shërbim, turizëm, hotelieri dhe restorante, kredi për pasuri të patundshme e të tjera.
Por, të gjitha këto kanë çmime të ndryshme, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë, ku kamatat e interesit sillen nga 9 deri në mbi 20 për qind.
Siç duket, shumica e qytetarëve që kanë nevojë për mjete financiare, qoftë për investime në patundshmëri, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, pushime, madje edhe për dasma, iu drejtohen bankave në Kosovë.
E, qytetarët që duhet për çdo muaj duhet t’iu drejtohen bankave të paguajnë këstin e kredisë, thonë se e kanë vështirë t’i grumbullojnë mjetet, për shkak pagave të ulëta në Kosovë.
Blerim Kastrati, para dy vjetësh ka marrë një kredi për tregti në vlerë prej 5 mijë eurosh. Ai ka investuar mjetet, por fitim gjatë kësaj periudhe thotë se nuk ka, për shkak se përqindja e fitimit shkon për kamatë të interesit për kredi.
“Kredinë e kam marrë për një periudhe tri vjeçare, po kamatat janë shumë të larta. Gjithkund në botë kamatat për biznese i kanë të ulëta, ndërkaq në Kosovë është e kundërt”, thotë Kastrati.
Bankat, nëpërmjet reklamave të ndryshme paraqesin oferta tërheqëse për produktet e tyre, madje shpesh thuhet se ofrojnë norma të volitshme të interesit, aprovim të kredisë për 24 orë dhe procedura të lehta për aplikim.
E, nga ky marketing ndikohen klientët, të cilët kanë nevojë për kredi.
Një nga ta është Kreshnik Berisha nga Prishtina, i cili vitin e kaluar ka marrë kredi në njërën nga bankat në Kosovë për të shkuar në pushime verore. Por, nëse vendos që edhe këtë sezon të shkojë në ndonjë bregdet, Kreshniku thotë se duhet ta vazhdojë kredinë.
“Kam marrë kredi 2000 euro për të shkuar në pushime, në det. Kredinë e kam marrë vitin e kaluar, verës. Këstet e kredisë jam duke i paguar ende, interesi është shumë i lartë. Për të shkuar sivjet në deti, duhet ta vazhdoj kredinë. E di se nuk ia vlen për të marrë kredi për pushime, por nuk ka zgjidhje tjetër”, tregon Kreshniku.
Ndryshe nga Kreshniku, një qytetar tjetër, Skënder Ahmeti, ka marrë kredi për të investuar në shtëpi. Pasi zgjidhje tjetër nuk ka pasur për të mbledhur mjetet e nevojshme, Ahmeti ka marrë dy herë kredi nga pesë mijë euro.
“Kam marrë kredi për ndërtim. Për mua nuk është shumë e shtrenjtë, më ka konvenuar dhe e kam marrë. Kam marrë dy herë nga pesë mijë euro. Kamatat janë shumë të larta, por nuk kemi çka të bëjmë…”, thotë Skënderi.
Përveç kredive që qytetarët kanë në bankat komerciale, një pjesë e madhe e klientëve borxhe kanë edhe në institucionet mikrofinanciare që operojnë vend.
Sidoqoftë, të gjithë kredimarrësit në datën e caktuar për pagesë të këstit duhet të përfundojnë pagesën, nëse vonohet fillon gjobitja.
Por, nëse nuk arrin që ta paguajë këstin, zyrtarë të bankave fillojnë procedurat për marrjen e hipotekës lënë peng gjatë procedurave të marrjes së kredisë.
E-Diaspora
-
Në Berlin mbahet eventi “Albanian Startups Diaspora Roadshow” Në Berlin u mbajt eventi që bashkoi startup-et shqiptare dhe diasporën... -
Amerikë
Studenti shqiptar diplomohet në Akademinë prestigjioze të Detarisë së SHBA-së -
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër -
Zvicër
Ambasada e Kosovës në Bernë me njoftim të rëndësishëm për votimin me postë në Zvicër -
Milano
Edon Zhegrova viziton Konsullatën e Kosovës në Milano
Jeta në Zvicër
-
Dy të lënduar pas një zjarri të madh në një banesë në Cyrih Rreth 30 persona u evakuuan gjatë natës, ndërsa apartamenti i përfshirë nga flakët është bërë i... -
Gjiganti amerikan farmaceutik MSD zhvendos 750 punonjës në selinë e re në Lucern -
Zvicra, ndër të parat në botë me teknologjinë e anijeve elektrike “fluturuese” -
Kolona në tunelin e Gotthardit arrin deri në 16 kilometra -
Qiramarrësit afatgjatë paguajnë deri në 90% më pak qira se qiramarrësit e rinj në Zvicër















