E-Diaspora
Lamtumirë, Pjetër Rodiqi!
Më dt.16 korrik 2019, në mesditë, në Tiranë, pushoi së rrahuri zemra e Pjetër Rodiqit, njeri, bashkëshort, prind, shok e mik shembullor, atdhetar dhe intelektual i shquar dhe i përkushtuar me vepra ndaj kombit dhe kulturës kombëtare. Ndërsa 24 orë më vonë, po në Tiranë, u bë ceremonia e varrimit të tij.
Pjetri ka lindur në Vienë të Austrisë më 26 dhjetor 1936. Pasi mbaroi shkollën pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë, nga viti 1954 deri më 1959, punoi si arsimtar në Kavajë dhe Mirditë. Në vijim, mbaroi studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës. Për shumë vite ka punuar në funksione drejtuese në disa ndërmarrje tregtare në Tiranë, si në Dhomën e Tregtisë, në NTI, Implastreg, e tj.
Më 1963 u martua me këngëtaren e mirënjohur Vaçe Zela. Prej rreth 22 vitesh ai ishte me banim së bashku me familjen, bashkëshorten e paharruar, këngëtaren e madhe kombëtare Vaçe Zela dhe të bijën e mrekullueshme, Irma, në Bazel të Zvicrës.
Për të kuptuar se sa zemër të madhe kishte Pjetri, se sa shumë e vlerësonte si këngëtare bashkëshorten e tij dhe se ai nuk e njihte cmirën, mjafton edhe një detaj. Edhe pse kishte një emër, personalitetet dhe dinjitet të njohur edhe vetë, asnjëherë nuk ndjeu dhe shprehu pakënaqësi, që e identifikonin dhe cilësonin plot njerëz, edhe publikishyt, “burri i Vaçe Zelës”.
Në Bazel, prej rreth 20 vitesh Pjetri ishte një bashkëpunëtor dhe këshilltar elitar dhe i devotshëm i Qendrës Shqiptare për arsimim dhe këshillim të migrantëve shqiptarë e nga vende të tjera të botës, në Bazel(ABSM). Edhe këtu ai ishte shembull edukate qytetare, emancipimi bashkëkohor dhe atdhedashurie.
Pjetër Rodiqi u shqua edhe si publiçist dhe përkthyes nga gjuha gjermane në gjuhën shqipe. Prej punës së tij afatgjatë, të palodhur, të përgjegjshme dhe cilësore profesionalisht, kemi nëpër libraritë dhe bibliotekat tona tre libra. I pari është libri i mirënjohur i albanologut të shquar austriak Johan G. von Hahn, “Nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit”, shkruar prej tij më 1867 dhe përkthyer mjeshtërisht prej Pjetrit më 2006.
Për të kuptuar dhe dëshmuar lidhjen dhe dashurinë e tij me Kosovën është shumë domethënës dhe emocionues teksti i shkurtër dedikues i Pjetrit, në faqen 4 të: “Përkthimin e këtij libri ia kushtoj: Gjyshit tim, Dragotin Rodiqi, nga Janjeva e Kosovës, i cili mbas shpalljes së Pavarësisë, si kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër , krijoi dhe organizoi të parën gjykatë të mirëfilltë shqiptare dhe prindërve të mi, Marianne dhe Daniel Rodiqi, që veç të tjerash, u përpoqën të më edukonin me frymën e përkushtimit e të dashurisë për Atdheun”.
Libri i dytë i përkthyer po nga Pjetri, me të njëjtin seriozitet dhe skrupulozitet intelektual dhe gjuhësor, është “SHQIPËRIA”, me autore Kristinë von Kohl, e mirënjohur ndërkombëtarisht si gazetare dhe eksperte për problemet e Ballkanit pranë Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Vjenë. Edhe ky libër është botuar më 2006 nga e njejta shtëpi botuese” Rozafa”. Po nga kjo autore dhe shtëpi botuese Pjetri na ka dhuruar librin e tretë të përkthyer mjeshtërisht prej tij, “Ballkani, Faktor qëndrueshmërie apo pështjellimi në Evropë”.
Pjetri , si njeri i mirë, kishte shokë e miq shumë kudo, në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Austri, Zvicër dhe vende të tjera me komunitete emigrantësh dhe diasporë shqiptare masive. Ai gëzonte respekt tek të gjithë me të cilët e kishte lidhur puna dhe jeta, edhe pas dhjetra vitesh. Sepse kishte pasur si qëllim parësor në jetë dhe ia kishte arritur të bënte vetëm të mira e të kujtohej vetëm për të mirat.
Prandaj, vdekja e tij është pritur dhe po përjetohet si një humbje dhe dhimbje e madhe jo vetëm për Irmën dhe njerëzit e tjerë të shtrenjtë të familjes. Kjo u shpreh edhe në faktin se në ceremoni kishte pjesëmarrje masive, edhe nga miqtë e tij shqiptarë në Zvicër dhe në Kosovë, se arkivoli i tij u mbulua me flamurin kombëtar dhe se varri i tij u mbulua deri rreth 1 metër lartësi me kurora dhe tufa lulesh.
Në këto ditë pikëllimi të thellë të gjithë të afërmit dhe miqtë e tij të shumtë ngushëllojnë familjen dhe njeri-tjetrin: U prehtë në Parajsë shpirti i Pjetër Rodiqit tuaj dhe tonë! Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!
E-Diaspora
-
Albin Kurti në Cyrih: Siguria si garanci e paqes dhe shtetndërtimi si përgjegjësi historike Në vazhdën tubimin elektoral me mërgatën shqiptare në Zvicër, Kryeministri në detyrë ndali veçmas te mbrojtja,... -
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Ticino: Gjenden 40 kilogramë kokainë në makinën e serbit dhe italianes Gruaja 53-vjeçare shtetase italiane dhe burri 53-vjeçar shtetas serb po udhëtonin në drejtim të veriut në... -
Kishte kërcënuar me sulm në Eurovision në Bazel – Dëbimi i tij ngre pyetje -
Lindjet në kantonin zviceran bien në nivelin më të ulët rekord -
Ulen kostot e shtetësisë zvicerane në Bazel dhe Bernë -
Zvicra planifikon të zgjerojë radarët e zhurmës në rrugë













