Kultura
“Shkrepëtima” e Petrit Halilajt nën qiellin e hapur të Lumbardhit të Prizrenit
Filmi u shfaq mbrëmjen e të enjtes para një publiku të madh në numër në kinemanë verore “Lumbardhi”, në kuadrin e festivalit DokuFest në Prizren
Një qendër kulturore fshati, prej kohësh e shndërruar në gërmadhë, i ka shërbyer piktorit Petrit Halilaj si frymëzim për të realizuar filmin “Shkrepëtima”. Filmi i ka marrë titullin revistës shkollore “Shkrepëtima” që e botonin arsimtarët dhe nxënësit e shkollës fillore të fshatit Runik të Drenicës, që është dhe vendlindje e Petritit, shkruan albinfo.ch.
Po ashtu “Shkrepëtima” në rrafshin e ideve është emër i qëlluar për të identifikuar një periudhë iluminimi e shpërthimi kulturor të popullatës së fshatit në fjalë e më gjerë.
Petrit Halilaj është piktor që gëzon një shkallë të lartë të njohjes në qarqet artistike ndërkombëtare prandaj dhe “Shkrepëtima” e tij ka bërë një jehonë të konsiderueshme në këto qarqe. Vetë filmi është realizuar si ilustrim për performancën e tij artistike me po këtë emër, që ai e ka shfaqur prej më shumë se një viti në qendra të ndryshme evropiane të artit.
Ndërsa filmi u shfaq mbrëmjen e të enjtes para një publiku të madh në numër në kinemanë verore “Lumbardhi”, në kuadrin e festivalit DokuFest në Prizren.
Filmi “Shkrepëtima” flet me një gjuhë specifike, do të thoshim autoriale artistike, që e cilëson edhe shprehjen e Halilajt në pikturë dhe performancë. Një krijim arti me një figuracion të pasur dhe jo lehtë të zbërthyeshëm për publikun e gjerë, shkruan albinfo.ch. Megjithatë, ajo që kuptohej nga të gjithë ishte fryma humane dhe kulturëdashëse që përshkon gjithë filmin.
Duke marrë fjalën gjatë prezantimit, para dhe pas shfaqjes së filmit, Petrit Halilaj ka theksuar se është impresionuar shumë nga puna të cilën e kishte bërë gjenerata e “Shkrepëtimës” për ndriçimin kulturor e arsimor të popullatës së Runikut e më gjerë.
Së këndejmi, Halilaj veç tjerash ka thënë: “Kur gjenerata e prindërve tanë na e ka lënë një trashëgimi të tillë shpirtërore, artistike të krijuar në kushte të vështira, a nuk është detyrim i yni që edhe ne të mendojmë çfarë t`u lëmë trashëgim brezave që po vijnë pas nesh?”.
Në rrjedhën e filmit, autori ka ndërfutur pjesë nga një numër dramash të luajtura në teatrin që ka funksionuar në kuadrin e shtëpisë së kulturës të fshatit Runik. Prandaj tani, rreth 30 ose 40 vite pas shfaqjes së tyre të parë, kemi parë, tashmë në ekran filmi, inskenimin e sërishëm të fragmenteve nga shfaqjet si “Toka e jonë”, “Hakmarrja” etj., tipike për repertorin e teatrove tona amatore të asaj kohe, shkruan albinfo.ch.
Në inskenimin e tyre për nevoja të filmit, janë angazhuar aktorë të njohur profesionistë nga Kosova por edhe amatorë ose qytetarë të thjeshtë që kanë hyrë në magjinë e shprehjes artistike të Halilajt.
Ndërsa një pjesë e madhe, mbase mbizotëruese, e rrëfimit filmik, është realizuar përmes lojës koreografike. Figura mitologjike vallëzojnë mbi kokën e djaloshit të fjetur në një ambient imagjinar të vendosur në gërmadhat e shtëpisë së Kulturës, në Runik.
Një prani të konsiderueshme në këtë rrëfim e ka edhe okarina, një instrument i thjeshtë frymor nga koha e neolitit, i cili është gjetur pikërisht në fshatin Runik të Skënderajt. Okarina si instrumenti më i vjetër, këtu simbolizon vazhdimësinë ose ripërtëritjen e jetës, ruajtjen e trashëgimisë. Pikërisht të asaj trashëgimie të cilën autori i filmit, Halilaj, apelon që t`ua bartim brezave të rinj…
Të tjera nga Kultura
E-Diaspora
-
Chair Airlines inauguron linjën direkte Cyrih–Tiranë, një tjetër urë ajrore mes Zvicrës dhe Shqipërisë Zürich, Tiranë, 9 korrik 2026 – Të enjten në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës nuk kishte ateruar... -
Nis shpërndarja e librave shqip në 15 shtete të diasporës -
Nga Zvicra me vepra për vendlindjen: Arben Lahu vazhdon aksionin vullnetar në Gollak -
Program falas në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë në Cyrih -
Donacion për spitalet në Maqedoninë e Veriut nga mërgata shqiptare e Cyrihut
Jeta në Zvicër
-
Chair Airlines inauguron linjën direkte Cyrih–Tiranë, një tjetër urë ajrore mes Zvicrës dhe Shqipërisë Zürich, Tiranë, 9 korrik 2026 – Të enjten në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës nuk kishte ateruar... -
Shitjet e paneleve diellore bien për herë të parë në Zvicër -
Vdekshmëria e tepërt që lidhet me valën e të nxehtit të qershorit mbetet shumë më e ulët se ajo e vitit 2003 -
Më shumë se 9,000 notarë kaluan liqenin e Cyrihut -
Kantoni zviceran merr masa emergjente për të ndihmuar fermerët gjatë thatësirës














