Lajme
BE: Ligj për kufij të qartë mes jetës dhe punës nga shtëpia
Me më shumë njerëz që punojnë nga shtëpia gjatë pandemisë, kufijtë midis punës dhe jetës po shkrihen. Ligjvënësit në BE duan t’u japin punonjësve “të drejtën për një kufizim të qartë mes jetës dhe punës nga shtëpia”.
Pandemia e koronavirusit jo vetëm që ka turbulluar jetën shoqërore në të gjithë Evropën, por edhe e ka ndryshuar në mënyrë dramatike mënyrën e punës së njerëzve. Me gjithnjë e më shumë njerëz që punojnë tani nga shtëpia (homeoffice) – afërsisht një e treta e të gjithë punonjësve brenda BE sipas Associated Press (AP) – duke iu kërkuar të jenë vazhdimisht të arritshëm, kufijtë midis punës dhe jetës private po zbehen gjithnjë e më shumë, shkruan DW, përcjell Albinfo.ch.
Të mërkurën (3.12), ligjvënësit e BE-së kaluan një rezolutë jo-detyruese duke argumentuar se individët kanë një “të drejtë themelore për ta kufizuar qartazi orarin e punës” edhe kur janë në home-office. Komiteti i Punësimit i Parlamentit Evropian votoi 31 me 6, me 18 abstenim, në favor të lejimit të njerëzve për të marrë pushim dhe nxiti Komisionin Evropian të krijojë rregulla që “përshtaten me realitetin e ri” të punës, sipas Alex Agius Saliba, politikani socialist maltez i cili kryesoi rezolutën. “Pas muajsh pune në distancë (teleworking), shumë punonjës tani po vuajnë nga efekte anësore negative si izolimi, lodhja e tepërt, depresioni, sëmundjet muskulore ose të syve”, tha Saliba, duke shtuar: “Presioni për të qenë gjithmonë i arritshëm, gjithmonë i disponueshëm, po rritet, duke rezultuar në mbingarkesë të papaguar dhe lodhje të tepërt”.
Masa e komitetit tani duhet të miratohet nga asambleja parlamentare përpara se t‘i paraqitet Komisionit dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së për votim. Ligjvënësit në favor të rezolutës thonë se nevoja që punonjësit të jenë në dispozicion përmes smartphone ose postës elektronike gjatë gjithë kohës është e dëmshme për shëndetin mendor dhe mirëqenien dhe se punëtorët duhet të lejohen të jenë jashtë linje pa vuajtur si rrjedhojë ndëshkimin e punëdhënësit.
Përgjigja fleksibël’ e Gjermanisë
Rezoluta vjen vetëm disa ditë pasi qeveria e koalicionit në Gjermani njoftoi se po shqyrton uljen e taksave për individët që punojnë nga shtëpia. Legjislacioni i ri, i cili pritet të miratohet nga parlamenti (Bundestag), do t’u lejojë punonjësve të heqin nga tatimi 5 € në ditë për të kompensuar kostot shtesë të ngrohjes dhe energjisë elektrike. Shuma maksimale që mund të zbritet në një vit do të kufizohet deri në 600 €.
Ministri i Financave, socialdemokrati Olaf Scholz e quajti propozimin “të mirë për punëmarrësit” dhe vuri në dukje se masa nuk përbën ndonjë “sfidë të madhe fiskale”. Deri më sot, punëmarrësit në Gjermani mund të heqin nga taksat kostot e punës në shtëpi vetëm nëse mund të provojnë se kanë një dhomë në shtëpinë e tyre të dedikuar vetëm për të punuar.
Me koronavirusin që detyroi një eksod masiv jashtë zyrave dhe në situata të improvizuara pune në tryezat e kuzhinës dhe dhomës së ngrënies, propozimi i taksave siguron një “përgjigje fleksibël” për një realitet të ri, sipas parlamentarit Sebastian Brehm, një këshilltar tatimor nga Unioni Kristiandocial (CSU), partia simotër bavareze e Unionit Kristiandemokrat (CDU) të Kancelares Angela Merkel.
Brehm thotë, se ligji ekzistues “nuk ka më lidhje me botën e sotme të punës”. Megjithëse pritet miratimi i skemës, mbetet të përcaktohet nëse kjo zbritje e re tatimore do të aplikohet praktikisht, apo do të ndërlidhet me shumën prej 1000€ të liruar nga tatimi, pasi ajo llogaritet si kosto për transportin dhe sendet e tjera të nevojshme për punën, që duhet t‘i sigurojë vet punonjësi.
E-Diaspora
-
Bernë: Event mbi integrimin përmes punës dhe ndërmarrësisë Më 28 mars 2026, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bern, mbahet një... -
Gjenevë
Rënie e interesimit për mësimin e gjuhës shqipe në Gjenevë, apel për prindërit -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi -
Mëso shqip në diasporë: Regjistrimet hapen në shumë shtete
Jeta në Zvicër
-
Lëndon rëndë një grua me fëmijën e saj: “Zhduket” shoferi i dënuar kosovar Siç zbulon "SRF Rundschau", personi i dënuar ende nuk ka filluar të vuajë dënimin e tij.... -
Këshilli Federal dëshiron shërbim civil të jashtëzakonshëm, më pak tërheqës -
Takimi i Organizatës Botërore të Tregtisë: Zvicra bën thirrje për unitet përballë tensioneve -
Mungesa e strehimit: Njerëzit e pastrehë përfundojnë në azil -
Mënyra e duhur (dhe e gabuar) për t’iu përgjigjur telefonit në Zvicër













