Kosova
Qeveria e Kosovës subvencionon kreditë e bizneseve prodhuese
Sot, Qeveria e Kosovës ka prezantuar dy nga masat e Pakos së ringjalljes ekonomike, të cilat parashohin subvencionimin e kredive për bizneset prodhuese dhe mbështetjen e eksportit.
Sipas kësaj, shuma e ndarë për këto dy masa është afro 40 milionë euro.
Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se qëllimi i këtyre masave është inicimi i një lokomotive prodhuese, e cila cak përfundimtar ka zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Në kuadër të pakos, masa 2.1 parasheh mbështetjen e prodhuesve vendorë në subvencionim të kredive deri në 20 për qind të shumës totale të kredisë.
Maksimumi i lejuar për subvencionim është 400 mijë euro, që, sipas ministrit Murati, ‘nënkupton që të gjitha kreditë deri në 2 milionë euro për bizneset prodhuese që duan t’i shtojnë kapacitetet, do të mbështeten me 20 për qind’.
Për të përfituar nga ky subvencionim, parashihet që së paku 50 për qind e investimit të jetë në pajisje për zgjerim të kapaciteteve, kurse shpenzimet e tjera mund të jenë shpenzime mbështetëse për kapacitete prodhuese.
Subvencionimi, ka thënë Murati, do të bëhet në dy pjesë.
Pjesa e parë prej 15 për qind të vlerës së kredisë do të bëhet në rastin kur është arritur investimi i planifikuar. Kurse, pjesa e mbetur prej 5 për qind do të transferohet në llogarinë e biznesit në momentin kur për shumën e njëjtë janë paguar pagat e punëtorëve të rinj që janë punësuar.
Deficiti i lartë përbën një sfidë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës. Në vitin 2020, vlera e eksportit të mallrave ka qenë rreth 475 milionë euro, derisa importi i mallrave ishte 3.2 miliardë euro.
Ndërkohë, ministri Murati tha se pasi të jetë bërë ngritja e kapaciteteve prodhuese si rezultat i këtyre investimeve, synimi është t’i mbështesin prodhuesit edhe në hallka të tjera të prodhimit dhe eksportit.
“Kemi paraparë të mbështesim me grante dhe subvencionime secilin biznes prodhues në shumë deri në 20 mijë euro për trajnim të stafit teknik që merr pjesë në procesin e prodhimit si kimist, teknolog të ushqimit e të tjerë”, tha Murati.
Bizneset do të subvencionohen deri në 50 mijë euro për të marrë pjesë edhe në panairet ndërkombëtare ku plasojnë produktet e tyre. Kjo bëhet në mënyrë që ata të gjejnë bashkëpunime dhe tregje të reja.
Të gjitha bizneset, të cilat kanë marrë kredi nga data 1 tetor dhe i plotësojnë kushtet nga masat e paraqitura, mund të aplikojnë për mbështetje.
Për të përfituar nga këto masa, bizneset duhet të aplikojnë në Administratën Tatimore të Kosovës.
Ky aplikim do të jetë i hapur deri në fund të qershorit 2022.
Po ashtu, në kuadër të mbështetjes së eksportit është paraparë të ndihmohen bizneset deri në 10 mijë euro për stafin për t’u trajnuar për qasjen në tregjet ndërkombëtare.
Masë tjetër, ka shtuar Murati, është për ndihmë financiare deri në 50 mijë euro për brendin apo për ribrendim të produktit.
E-Diaspora
-
Stokholm
Filmi shqiptar “Derë e Hapur” shfaqet në Stokholm në kuadër të muajit të Frankofonisë Një histori e fuqishme familjare dhe shoqërore sjell kinemanë shqiptare më afër publikut suedez... -
Nga një fëmijëri e integruar në Cyrih drejt një zëri me peshë në shoqërinë zvicerane -
Thonex: Punonjësi me origjinë shqiptare denoncon racizëm në polici -
Kantoni i Cyrihut i dhuron një automjet zjarrfikës qytetit të Gjilanit -
Vjenë
Trupat e pajetë nga tragjedia e Vjenës nisen sot për Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Qeveria Federale planifikon mbrojtjen e të moshuarve nga dhuna Në këtë kuadër, qeveria ka miratuar një program stimulues për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të... -
Këshilli Federal kërkon katër miliardë franga për forcimin e ushtrisë -
Makina godet një grup nxënësish – Mendohet se ka humbur jetën një person -
Çmimet vazhdojnë të rriten: Nafta tani kushton 2.10 franga për litër -
Këshilli Federal propozon masa të reja kundër mungesës së barnave













