Kosova
Reagon Ministria e Brendshme e Kosovës, tregon informatat e fundit nga pikëkalimet me Serbinë
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës përmes një komunikate ka dënuar ashpër aktin e paprecedentë të Serbisë me ndalimin e qindra qytetarëve, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve dhe zyrtarëve policorë të ndaluar.
“Pas fitores së djeshme të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku me shumicë votash u miratua Raporti, i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, Serbia ka aktivizuar metodat e saj të hakmarrjes duke keqtrajtuar sot qytetarët tanë që po udhëtonin përmes territorit të saj”, thuhet në komunikatë.
Nga mëngjesi i hershëm janë targetuar autobusë dhe automjete që po transportonin qytetarët tanë nga Perëndimi drejt Kosovës apo anasjelltas, duke i ndaluar ata, duke u konfiskuar dokumentet personale dhe duke i intervistuar pa asnjë arsyetim paraprak. Qytetarët tanë janë mbyllur në zyret e autoriteteve të Serbisë me orë të tëra dhe nga persona të ndryshëm janë intervistuar për pjesëmarrjen apo lidhjet e tyre eventuale me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës apo me luftën në Kosovë, thekson tutje komunikata.
“Ky akt i Serbisë duke u ndaluar lëvizjen dhe duke i maltretuar për mbi 20 orë qytetarët tanë pa dallim moshe dhe gjinie, shkel çdo normë njerëzore, e mbi të gjitha është shkelje flagrante e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë”, njofton MPB.
Që nga mëngjesi i sotëm është duke u mbajtur në ndalim pa asnjë sqarim edhe zëvëndësdrejtori i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Jankovic.
Sipas informacioneve të MPB-së, zëvëndësdrejtori Jankovic është dërguar në Rashkë dhe duke njohur këtë praktikë të përsëritshme të Serbisë ndaj qytetarëve dhe zyrtarëve policorë, i njëjti intervistohet nga aktorë të ndryshëm shtetërorë të Serbisë.
Institucionet përkatëse janë në proces të sigurimit të informacioneve të sakta për të sqaruar situatën e krijuar, por nga ato që posedojmë deri tash, në ndalim kanë qenë 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë), të cilët janë ndaluar në kalimet kufitare Merdar, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. 5 nga ta janë liruar, ndërsa 5 ndodhen akoma në mbajtje, duke përfshirë edhe zëvëndësdrejtorin Jankovic.
Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe institucionet përkatëse janë duke përcjellë me vëmendje informatat e pranuara dhe të njëjtat janë duke u ndarë edhe me partnerët ndërkombëtarë.
U bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë për lirim të menjëhershëm të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të ndaluar pa asnjë arsyetim dhe në shenjë hakmarrje për Republikën e Kosovës. Ndërkaq, kërkojmë nga i gjithë faktori ndërkombëtar të dënohet fuqishëm kjo sjellje e Serbisë karshi qytetarëve të Republikës së Kosovës. Të tilla akte janë bërë vazhdimisht nga ky shtet për çka ritheksojmë se në burgjet e Serbisë tashmë ka shumë qytetarë që mbahen padrejtësisht për të njëjta motive ndaj vendit tonë.
Duke pasur parasysh situatën e sigurisë dhe gjuhën e vazhdueshme kërcënuese të Serbisë, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve tanë për shmangie të udhëtimit përmes Serbisë.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Itali: Shqiptari goditi me çekiç bashkëshorten, arrestohet nga policia Raportohet se një 55-vjeçar shqiptar u arrestua nga policia italiane, pasi më 25 prill goditi me...
-
Xhaka-Gjimshiti nesër përballen për trofeun e Europa League
-
Muharrem Salihu, i gatshëm për deputet në Parlamentin Evropian
-
Inteligjenca e mërgimtarit shqiptar vlerësohet lart, kualifikohet në finalen e kampionatit të matematikës
-
Medina Jusufi Berisha, punon në profesionin që kishte ëndërruar si fëmijë
Jeta në Zvicër
-
Kamberi shënon, Zuerichu siguroi kualifikimet në Ligën e Konferencës Bëhet e ditur se dje Zuerichu siguroi kualifikimet në Ligën e Konferencës falë fitores 2:1 kundër...
-
Medina Jusufi Berisha, punon në profesionin që kishte ëndërruar si fëmijë
-
Aviokompania zvicerane që flet shqip
-
Buxheti i mbrojtjes i propozuar prej 15 miliardë frangash, pritet të dështojë
-
Shtatë gjëra që shtetasit jo-BE duhet t’i dinë rreth zhvendosjes në Zvicër