Lajme
Migrimi ilegal zbeh interesimin për viza Shengen
Rritja e numrit të emigrantëve drejt BE-së, ka reduktuar kërkesat për viza Shengen. Edhe përfaqësuesit e agjencive turistike thonë se kohën e fundit ka më pak kërkesa për viza
Vala e migrimit ilegal drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ka reduktuar në masë të madhe pritjet e gjata të kosovarëve për t’u pajisur me viza shengen. Ata pak qytetarë që po presin para ambasadave të huaja, janë kryesisht të moshuar që nuk kanë guximin të kalojnë ilegalisht kufijtë ose të rinj që kërkojnë bashkim familjar.
Edhe përfaqësuesit e agjencive turistike thonë se kohën e fundit kanë vërejtur më pak kërkesa për t’u pajisur me viza. Ata pranojnë se ata klientë që i frekuentojnë këto agjenci, për fotografi, mbushje aplikacioni, sigurime shëndetësore etj, janë kryesisht pleq, ndërsa tek të rinjtë ka rënë dukshëm interesimi për viza.
“Prej Vitit të Ri e këndej po vërehet kjo rënie. Presim gjithë ditën derisa të hyjë ndonjë klient, derisa më parë ishin disa veta njëkohësisht”, thotë për gazeten “Zëri”, Lulëzim Berisha, nga agjencia turistike “Iliri” që gjendet në mesin e agjencive te Ambasada gjermane në Prishtinë.
Disa agjenci turistike thonë se iu kanë telefonuar disa të interesuarve për viza për t’i njoftuar rreth mundësisë për caktimin e terminit në Ambasada dhe përgjigja që kanë marrë ka qenë befasuese.
“Me kënd po flas, sepse aktualisht jam në Gjermani”, ka marrë përgjigjen pasi kishte kontaktuar një klient, i cili kishte para disa javësh për caktimin e një termini për vizë. “Nuk mund ta mohoj se ikja nëpër rrugë ilegale ka ndikuar në rënien e interesimit për viza. Kjo është diçka që po shihet”, thotë ai.
Edhe para ambasadave të tjera nuk ka pritje të gjata për termin ose aplikim të vizës. Arben Sahiti, i cili kishte ardhur në Ambasadën italiane në Prishtinë, për legalizim të një dokumenti, thotë se çdo herë që ka ardhur këtu, ka pritur me orë të tëra, ndërsa kësaj here i duket gjithçka “ok”.
Sipas agjencive turistike, kërkesat e deritashme të të rinjve kanë qenë edhe për bashkim familjar. Sipas të dhënave të Eurostatit, numri i kosovarëve që kanë kërkuar azil që nga 1 janari i vitit 2009 e deri më 31 gusht të vitit 2013 është 66 mijë e 85 persona. Vetë në Ambasadën e Zvicrës në Prishtinë kanë aplikuar 25 mijë veta në vit.
Ndryshe, siç ka deklaruar një ditë më parë përfaqësuesit e opozitës, numri ia tyre që kanë migruar ilegalisht gjatë muajve të fundit, kanë kaluar shifrën prej 200 mijë qytetarëve.
Deputeti Ilir Deda, nga “Vetëvendosje”, tha se në bazë të informatave që posedon brenda Policisë së Kosovës, numri i imigrantëve arrin në 230 mijë.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk ofron shifra të atyre që kanë lëshuar vendin për muajin janar. Sipas statistikave të “Eurostat”-it, në vitit 2014 (janar-shtator) numri i atyre që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së arrin në 26,500 qytetarë të Republikës së Kosovës. Mirëpo kjo shifër ka ndryshuar dukshëm në tremujorin e fundit të vitit 2014 dhe gjatë janarit 2015.
Ndërkaq, zyrtarë nga Zyra për Informimin e MPB-së konfirmojnë se gjatë vitit 2014 janë riatdhesuar 4610 persona, ndërsa nga Programi i Riintegrimit kanë përfituar 2024 persona. “Nga Programi i Riintegrimit mund të përfitojnë personat e riatdhesuar, të cilët e kanë lëshuar Kosovën para datës 28 korrik 2010, por jo edhe këta të fundit”, thotë MPB.
E-Diaspora
-
Shasime Osmani zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës Me 9641 vota, Shasime Osmani e lindur në Kërçovë është shqiptarja e vetme që ka siguruar... -
Cyrih: U prezantua projekti “The Guestkeepers” për turizmin kulturor në Kosovë -
Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër zgjedh kryetarin e ri dhe mbyll me sukses simpoziumin shkencor -
Ka nisur Simpoziumi i 7-të i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës -
SHKA “Ilirët” nga Lozana, sot me program artistik në Monthey
Jeta në Zvicër
-
Hekurudhat kombëtare zvicerane dhe franceze po forcojnë lidhjet midis dy vendeve SBB dhe SNCF Voyageurs kanë konfirmuar angazhimin e tyre për të zhvilluar më tej – përmes... -
Milionerët vazhdojnë të vijnë në Zvicër -
Zvicër: E djathta ekstreme dëshiron të ndalojë shamitë në shkolla -
Shasime Osmani zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës -
Linjat ajrore zvicerane rrisin çmimet e biletave përpara sezonit të pikut të udhëtimit veror














