Kosova
Kurti pret sa më shpejt formimin e Qeverisë së re
“Sot fillon numërimi i votave të diasporës sipas njoftimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më së largu deri javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare për subjektet politike”, u shpreh Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje të mërkurën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për më shumë angazhim në përmbylljen e procesit të numërimit të votave nga zgjedhjet e 9 shkurtit, në mënyrë që të hapet rruga krijimit të institucioneve të reja.
Ai i bëri këto komente në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, në ditën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi numërimin e votave të hedhura nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës në përfaqësitë diplomatike të vendit.
“Kemi hyrë në fazën finale të procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot fillon numërimi i votave të diasporës sipas njoftimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më së largu deri javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare për subjektet politike. Si fitues të qartë të zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë”, tha kryeministri Kurti.
Pas numërimit të votave të hedhura nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës pritet të nisë edhe numërimi i votave të dërguara me postë, që do të shënonte edhe një hap drejt përmbylljes së tërësishme të këtij procesi, i cili është përshkuar me kritika për vonesa dhe probleme teknike.
Mbi 15 mijë e 300 vota janë hedhur në përfaqësitë diplomatike të Kosovës ndërkaq mbi 68 mijë e 700 vota janë dërguar me postë, prej të cilave afër 63 mijë janë miratuar.
“Ndërsa të gjithë presim nga KQZ edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve për të përmbyllur kësisoj një proces zgjedhor të lirë, të rregullt, të ndershëm e demokratik me pjesëmarrje masive të qytetarëve”, tha kryeministri Kurti.
Partia e kryeministrit Albin Kurti, lëvizja Vetëvendosje doli e para në këto zgjedhje me afro 41 për qind të votave, pasuar nga Partia Demokratike me rreth 22 për qind, Lidhja Demokratike me rreth 17 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me partnerët rreth 7 për qind.
Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje ende nuk kanë bërë komente lidhur me bashkëpunimin e mundshëm me ndonjë subjekt tjetër politik ndërsa po presin numërimin e të gjitha votave.
Por, sipas vëzhguesve të proceseve zgjedhore në Kosovës, votat e diasporës nuk pritet të sjellin ndryshime të mëdha në rezultatin aktual i cili sipas tyre ka lënë të hapura disa mundësi për formimin e qeverisë meqë asnjëra nga partitë politike duket se nuk do të mund të formojë e vetme qeverinë e re.
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Ministri Pfister: “30 avionë nuk janë të mjaftueshëm në planin afatgjatë” "Do të ishin të mjaftueshëm vetëm për vendosje afatshkurtra, por jo për mbrojtje të qëndrueshme"... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Përleshje në mes të shqiptarëve në Romanshorn, shtatë të plagosur -
Rrjedhje klori në pishinë në Etoy, Vaud – 3 të shtruar në spital me helmim -
Vaud: Sindikatat, të pakënaqura me lëshimet e bëra nga qeveria












