Lajme
Ardita Dema Mehmeti: “Një grua shqiptare duhet të dëshmohet dy herë”
Intervistë, portret mbi lidershipin femëror, decentralizimin dhe integritetin profesional
Ardita Dema Mehmeti, magjistre e shkencave ekonomike, aktualisht Zëvendësdrejtoreshë Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) në Maqedoninë e Veriut, është një nga figurat institucionale që përfaqëson një model lidershipi të qartë, të qëndrueshëm dhe të bazuar në integritet. Si grua shqiptare në një mjedis tradicional dhe kryesisht mashkullor, ajo flet për përgjegjësinë që shkon përtej titullit profesional, për sfidat reale të pushtetit lokal dhe për domosdoshmërinë e reformave strukturore që qytetarët t’i ndiejnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme.
Ardita Dema Mehmeti me ish ambasadoren e Zvicrües në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sybille Suter Tejada
Një rol që kërkon më shumë se kompetencë
Ardita Dema Mehmeti e përjeton pozitën e saj jo thjesht si funksion administrativ, por si një angazhim që kërkon dëshmi të vazhdueshme të profesionalizmit. Ajo thekson se për një grua, e sidomos për një grua shqiptare në strukturat institucionale, rruga drejt besueshmërisë është shpesh më e gjatë dhe më e vështirë.
“Për një grua nuk ka asgjë të lehtë, e sidomos kur duhet të dëshmohet dy herë, njëherë si grua në pozitë dhe pastaj edhe si grua shqiptare.”
Kjo sfidë, sipas saj, nuk e ka demotivuar, por e ka shtyrë të japë më shumë nga vetja, të punojë me përpikëri dhe përgjegjësi, duke e parë korrektësinë si bazë të qetësisë profesionale dhe të besimit në punën e bërë.
Përfaqësimi i grave dhe realiteti i pushtetit lokal
Duke folur për ndikimin e identitetit gjinor në ndërtimin e autoritetit profesional, Ardita Dema Mehmeti vë në pah përfaqësimin e ulët të grave në pushtetin lokal, veçanërisht në pozitat udhëheqëse. Ajo kujton se në zgjedhjet e fundit lokale nuk pati asnjë kandidate shqiptare për kryetare komune, një fakt që sipas saj flet qartë për barrierat strukturore dhe kulturore.
“Kryesisht femrave nuk u besohen pozita të larta udhëheqëse; atyre u jepen role dytësore, edhe pse janë pikërisht ato që e kryejnë punën me përpikëri dhe përgjegjësi.”
Në këtë kontekst, ajo thekson se gratë duhet të krijojnë “imunitet” ndaj paragjykimeve, të ruajnë dinjitetin profesional dhe të flasin me rezultate konkrete – sepse pikërisht rezultatet mbeten argumenti më i fortë në një mjedis ku barazia nuk është e mirëqenë.
Komunat mes mungesës së mjeteve dhe nevojës për decentralizim real
Një pjesë thelbësore e intervistës i kushtohet gjendjes financiare të komunave në Maqedoninë e Veriut. Ardita Dema Mehmeti shpjegon se komunat kanë të ardhura vetanake të ulëta dhe mbeten shumë të varura nga buxheti qendror, çka kufizon investimet kapitale dhe zhvillimin ekonomik lokal. Ajo e përshkruan decentralizimin aktual më shumë si dekoncentrim të mjeteve për paga dhe mirëmbajtje, sesa si decentralizim funksional dhe fiskal të mirëfilltë. Në këtë kontekst, BNJVL ka fokus lobimin dhe avokimin për reforma strukturore, ngritjen e kapaciteteve të resurseve njerëzore në komuna dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët.
“Pa stabilitet dhe qëndrueshmëri financiare të komunave, është e pamundur të flasim për zhvillim real dhe shërbime cilësore për qytetarët.”
Ajo veçon digjitalizimin si një nga mjetet më efikase për rritjen e transparencës, përmirësimin e komunikimit dhe racionalizimin e kostove në administratën lokale.
Integriteti si busull profesionale
Kur flet për parimet që e udhëheqin në punë, Ardita Dema Mehmeti thekson se integriteti dhe dinjiteti personal nuk janë të negociueshme. Ajo beson se edhe komunikimi i të vërtetave të vështira, kur bëhet me sinqeritet dhe profesionalizëm, ndërton besim afatgjatë dhe kulturë të shëndoshë institucionale.
“Ruajtja e integritetit dhe dinjitetit personal nuk ka kompromis.”
Dema Mehmeti e lidh këtë parim me konceptin e udhëheqjes me shembull, duke nënvizuar se përgjegjësia fillon nga vetja – si në jetën profesionale, ashtu edhe në atë familjare.
Presionet, paragjykimet dhe balanca personale
Në një mjedis multietnik dhe tradicional, presionet dhe paragjykimet janë të pashmangshme. Ardita Dema Mehmeti tregon se ka mësuar të vendosë kufij të qartë, të ruajë distancë profesionale nga sjelljet paragjykuese dhe të mos lejojë manipulime.
“Aty ku nuk ka respekt, duhet të largohesh. Askush nuk meriton përbuzje.”
Balancën mes jetës private dhe angazhimit profesional ajo e lidh me përkrahjen e familjes, edukimin e fëmijëve drejt pavarësisë, besimin fetar dhe kohën e kaluar në natyrë, të cilat për të mbeten burime të rëndësishme qetësie dhe reflektimi.
Arritjet dhe ndikimi konkret te qytetarët
Duke reflektuar për punën e saj dhe të ekipit, Ardita Dema Mehmeti veçon përfshirjen më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje përmes forumeve lokale, buxhetimin gjinor dhe projekte që u japin zë komuniteteve të ndryshme gjuhësore. Ajo thekson se shërbimet elektronike kanë rritur ndjeshëm efikasitetin dhe transparencën e komunave.
“Sot, qytetarët e ndiejnë më drejtpërdrejt ndikimin e punës sonë, në transparencë, në komunikim dhe në shërbime më efikase.”
Rrugëtimi profesional i Ardita Dema Mehmetit dëshmon se lidershipi i vërtetë në sektorin publik nuk matet me zë të lartë apo me pozita formale, por me qëndrueshmëri, integritet dhe rezultate që krijojnë besim. Në një realitet institucional ku sfidat janë të shumta dhe ndryshimi shpesh kërkon kohë, qasja e saj përfaqëson një model të matur, por këmbëngulës, që synon reforma të prekshme dhe shërbime më të mira për qytetarët.
Si grua shqiptare në një pozitë udhëheqëse, ajo e sheh përgjegjësinë si obligim për të hapur rrugë, për të ngritur standarde dhe për të dëshmuar se ndryshimi i qëndrueshëm është i mundur vetëm kur fjalët përkthehen në punë konkrete dhe të ndershme.
Për albinfo.ch Luljeta Ademi
E-Diaspora
-
Mediat zvicerane mbi “përfshirjen e zëshme” të diasporës në zgjedhjet kosovare Ajo që e dallon qasjen e këtyre mediave në raport me zgjedhjet aktuale është përfshirja e... -
Në 25 përfaqësi diplomatike votuan 81.29% të personave të regjistruar -
Pjesëmarrja e votuesve në Konsullatën e Kosovës në Cyrih ishte 89% -
Votimi i diasporës deri në ora 13:00: Votuan mbi 7 mijë votues -
Foto: Votimi në Konsullatën e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë
Jeta në Zvicër
-
Shumë sfida e presin shefin e ri të ushtrisë zvicerane, Benedikt Roos Shefi i ri i ushtrisë, Benedikt Roos, do të marrë zyrtarisht detyrën më 1 janar. Nga... -
Karin Keller-Sutter mbyll një vit të trazuar presidencial -
Kantoni i Vaudit rrit ndjeshëm taksat për automjetet më ndotëse -
Medikamentet për gripin: Zbuloni diferencat e çmimeve midis Gjermanisë dhe Zvicrës -
1420 të huaj marrin përfitime plotësuese pa pension
















