Lajme

Pse dronët e Gjermanisë nuk treguan rezultate në Ukrainë?

Dronët për të cilët Gjermania do të shpenzojë mbi 250 mln euro s’kanë dhënë rezultat në Ukrainë

Gjermania po përgatitet të investojë rreth 267.7 milionë euro për blerjen e dronëve të armatosur HX-2, në kuadër të modernizimit të ushtrisë dhe forcimit të Bundeswehrit. Projekti është pjesë e një programi shumë-miliardësh që synon rritjen e kapaciteteve ushtarake, në një kohë kur kërcënimet e sigurisë në Evropë janë shtuar dhe roli tradicional i SHBA-së në mbrojtjen e kontinentit po zbehet, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, të dhënat nga lufta në Ukrainë kanë ngritur pikëpyetje për efektivitetin e këtyre dronëve. Sipas raportimeve, edhe pse kompania prodhuese Helsing pretendon se sistemi është testuar me sukses dhe në disa prova ka arritur shkallë goditjeje pothuajse 100 për qind, vlerësimet nga përdorimi në terren tregojnë një sukses prej rreth 36 për qind. Humbjet lidhen kryesisht me probleme teknike të sistemit, ndërsa mbetet e paqartë nëse dronët që Gjermania synon të blejë janë të njëjtë me ata të përdorur në Ukrainë apo versione më të avancuara.

Gjermania planifikon të blejë 4,350 dronë HX-2, së bashku me pajisje trajnimi dhe simulatorë. Kontrata duhet të miratohet nga parlamenti gjerman, pasi çdo marrëveshje ushtarake mbi 25 milionë euro kërkon aprovimin e tij, ndërsa vendimi pritet të merret deri në fund të shkurtit.