Kosova

Evropa rrit kërkesën për profesionistë shqiptarë, Gjermania mbetet destinacioni kryesor

Talentet po i merr Europa, qindra të rinj të kualifikuar largohen drejt BE-së

Vendet e Bashkimit Evropian po shfaqin një kërkesë në rritje për profesionistët shqiptarë, duke lëshuar gjithnjë e më shumë Karta Blu – leje pune dhe qëndrimi të destinuara për qytetarët nga vendet jashtë BE-së me kualifikime të larta profesionale, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Eurostat, nga viti 2014 deri në vitin 2024 janë dhënë gjithsej 5,405 Karta Blu për shtetasit shqiptarë. Rritja më e ndjeshme është shënuar pas vitit 2019, periudhë që përkoi me një valë të re emigrimi, këtë herë kryesisht të profesionistëve të kualifikuar. Vetëm në vitin 2023 u dhanë 825 karta, ndërsa në vitin 2024 numri zbriti në 592, megjithatë mbetet dukshëm më i lartë krahasuar me vitet e mëparshme. Për krahasim, në vitin 2012 ishin lëshuar vetëm 15 Karta Blu, ndërsa rekordi historik u shënua në vitin 2021 me 882 të tilla.

Rritja e ndjeshme lidhet kryesisht me Gjermaninë, e cila vazhdon të jetë destinacioni dominues për profesionistët shqiptarë. Në vitin 2021, ky shtet lëshoi 823 Karta Blu, që përbënin rreth 93 për qind të totalit të dhënë nga vendet e BE-së për shtetasit shqiptarë. Në vitin 2023 Gjermania dha 716 leje (87% e totalit), ndërsa në vitin 2024 numri arriti në 513, po ashtu rreth 87 për qind e totalit. Përfituesit e kësaj leje në Gjermani duhet të kenë një pagë minimale rreth 43 mijë euro në vit, kriter që shërben si prag për aplikim.


Pas Gjermanisë, Italia dhe Austria renditen si vende të tjera që tërheqin profesionistë shqiptarë, ndonëse me numra shumë më të ulët. Italia lëshoi 23 Karta Blu në vitin 2022, 41 në vitin 2023 dhe 20 në vitin 2024. Austria, ndërkaq, regjistroi 11 leje në vitin 2022, 30 në vitin 2023 dhe 18 në vitin 2024. Një destinacion në rritje është edhe Polonia, e cila lëshoi 11 Karta Blu për shqiptarët në vitin 2023 dhe 13 në vitin 2024.

Gjermania është shndërruar në një magnet për profesionistët shqiptarë, veçanërisht në fushat e teknologjisë së informacionit dhe shëndetësisë. Kërkesa e lartë për fuqi punëtore të specializuar në ekonominë më të madhe evropiane, e nxitur edhe nga plakja e popullsisë dhe mungesa e stafit të kualifikuar, ka ndikuar ndjeshëm në këtë trend.

Ndërkohë, largimi i profesionistëve po reflektohet edhe në Shqipëri. Sipas raportit të fundit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), rreth 23 për qind e personave me arsim të lartë nga vendi kanë emigruar. Shqipëria vazhdon të shënojë nivele të larta të emigrimit të popullsisë së arsimuar gjatë viteve 2023-2024, ndërsa kthimi i tyre mbetet i ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Po ashtu, në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë së Talenteve për vitin 2025, Shqipëria ka rënë me shtatë pozicione, duke u renditur në vendin e 63-të, çka tregon sfida në zhvillimin e aftësive profesionale, cilësinë e arsimit dhe ruajtjen e kapitalit njerëzor.

Në nivel të përgjithshëm evropian, Eurostat raporton se në vitin 2023 u lëshuan rreth 89 mijë Karta Blu. Gjermania dominoi me rreth 69 mijë leje, ose 78 për qind të totalit, e ndjekur nga Polonia me rreth 7 mijë dhe Franca me afro 4 mijë. Sa i përket përfituesve sipas shtetësisë, kryesojnë qytetarët e Indisë, të ndjekur nga Rusia, Turqia dhe Bjellorusia, duke reflektuar kërkesën e lartë të tregut evropian për profesionistë të kualifikuar në sektorë teknikë dhe shkencorë.

Karta Blu e BE-së është një leje qëndrimi dhe pune për qytetarët jashtë Bashkimit Evropian me kualifikime të larta profesionale. Ajo synon të tërheqë specialistë në sektorë ku ka mungesë të fuqisë punëtore dhe u ofron përfituesve mundësi për bashkim familjar, mobilitet brenda BE-së dhe qëndrim afatgjatë. Leja jepet mbi bazën e një kontrate pune dhe plotësimit të pragut minimal të pagës, i cili ndryshon sipas shtetit dhe profesionit. Për vitin 2025, në Gjermani paga minimale vjetore për Kartën Blu është 48,300 euro për profesionet e përgjithshme dhe rreth 43,760 euro për profesionet me mungesë të theksuar, si teknologjia e informacionit, inxhinieria dhe shëndetësia./Albinfo.ch