Kosova

Palatova – kryeministrit të Kosovës: BE nuk mundet ta japë thjeshtë statusin e kandidatit, duhet t’i bindni 27 shtetet

Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka deklaruar se Kosova nuk mund ta marrë automatikisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi duhet t’i bindë të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së.

Ajo ka deklaruar se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE kërkon mbështetje të plotë politike nga shtetet anëtare dhe përmbushje të standardeve demokratike.

“E di, zoti Kryeministër, që ju dëshironi që BE-ja të ecë përpara me aplikimin për anëtarësim, të cilin e dorëzuat gjatë presidencës çeke në Pragë. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar që ta arrini këtë synim të radhës. Por më lejoni të jem e sinqertë: Brukseli nuk mund ta japë thjesht statusin e kandidatit. Ju duhet t’i bindni 27 shtetet anëtare”, deklaroi ajo, transmeton albinfo.ch.

Tutje, Palatova ka deklaruar se në këtë proces janë thelbësore tri elemente kyçe, duke theksuar funksionimin demokratik të Kosovës dhe organizimin e zgjedhjeve.

“Dhe për këtë, rëndësi kanë këto tri elemente kyçe. Kosova është dhe duhet të mbetet një demokraci e gjallë. Zgjedhjet parlamentare që mbahen saktësisht një muaj nga sot duhet të jenë, përsëri, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse”, shtoi ajo.