Lajme

Musa Kamenica: Lozana ka nevojë për politika sociale të forta dhe gjithëpërfshirëse

I zgjedhur Kryetar i Këshillit Komunal të Lozanës në korrik të vitit 2025, Musa Kamenica përfaqëson një nga figurat më të spikatura të komunitetit shqiptar në jetën politike zvicerane. Në këtë intervistë për albinfo.ch, ai flet për domethënien personale dhe politike të këtij funksioni, për raportin e diasporës shqiptare me partitë politike në Zvicër, sfidat e qytetit të Lozanës si dhe prioritetet e tij për legjislaturën e ardhshme.Aktualisht Kryetar i Këshillit Komunal, Musa Kamenica kandidon sërish për Këshilltar Komunal në zgjedhjet komunale të Lozanës që mbahen në muajin mars 2026.

albinfo.ch: Kamenica, ju drejtoni Këshillin Komunal të Lozanës. Çfarë përfaqëson ky funksion për ju personalisht dhe çfarë mesazhi përcjell kjo, sipas jush, për komunitetin shqiptar në Zvicër?

Musa Kamenica: Që nga muaji korrik i vitit 2025, jam zgjedhur Kryetar i Këshillit Komunal të qytetit të Lozanës dhe kam privilegjin të drejtoj jetën politike të këtij qyteti. Ky rol i qytetarit të parë të Lozanës, ndonëse ka një dimension simbolik, përfaqëson po ashtu një përgjegjësi të madhe politike, pasi ndikon drejtpërdrejt në dinamizimin dhe mbarëvajtjen e proceseve parlamentare në qytet.

Duke pasur parasysh se gjatë presidencës sime përkon edhe një vit elektoral, tensionet mes grupeve politike janë më të theksuara krahasuar me vitet e kaluara. Për këtë arsye, kërkohet më shumë kohë për negociim dhe angazhim, në mënyrë që jeta parlamentare në qytetin e Lozanës të zhvillohet sa më mirë dhe në frymë bashkëpunimi.

Mirëpo, për mua personalisht, si një person që kam ardhur në Zvicër në vitet ’90, si i rritur, drejtimi i një institucioni kaq të rëndësishëm, sikurse është parlamenti i qytetit, përbën një krenari dhe privilegj të veçantë. Shpresoj që kjo të shërbejë si frymëzim për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme të komunitetit tonë shqiptar në Zvicër. Pavarësisht origjinës sonë, me punë, përkushtim dhe sakrificë, mund të arrihet çdo synim në fushën që dëshirojmë.

albinfo.ch: Ju jeni një figurë e Partisë Socialiste. Megjithatë, vërehet një tendencë e qartë: një pjesë e rëndësishme e diasporës shqiptare, e lidhur me vlerat tradicionale familjare ose që janë bërë sipërmarrës, votojnë tashmë me dëshirë për të djathtën (PLR, UDC). Si e analizoni këtë shpërputhje mes të zgjedhurve (shpesh në të majtë) dhe elektoratit (shpesh në të djathtë)?

Musa Kamenica: Nëse bazohemi në pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar në politikën zvicerane gjatë dhjetë viteve të fundit, mund të vlerësojmë se një pjesë e madhe e tyre janë angazhuar në partitë e majta, posaçërisht në Partinë Socialiste të Zvicrës. Kjo pjesëmarrje ka qenë dhe vazhdon të jetë e natyrshme, duke marrë parasysh se kjo parti ka qenë pranë shqetësimeve të bashkëkombësve tanë, si në raport me situatën në Kosovë që nga vitet ’90, ashtu edhe në çështjet sociale dhe të integrimit në Zvicër.

Angazhimi për lehtësimin e procedurave të lejeqëndrimit, mbështetja përmes sindikatave në çështje që lidhen me kontratat e punës, qasja e hapur dhe integruese ndaj popullatës së huaj, si dhe pozicioni mbështetës për pavarësinë e Kosovës nga Këshilltarja Federale, zonja Micheline Calmy-Rey, janë disa nga faktorët që bënë që komuniteti të identifikohej dhe të aderon­te më lehtë në vlerat e kësaj partie.

Në vitet e fundit vërehet një aderim gradual i një pjese të komunitetit shqiptar në partitë e djathta, si Partia Liberale Radikale (PLR/FDP) apo Unioni Demokratik i Qendrës (UDC/SVP). Nga këndvështrimi im, ky është një zhvillim që duhet vlerësuar pozitivisht, sepse dëshmon një maturim dhe emancipim të komunitetit shqiptar në jetën politike të Zvicrës.

Sa i përket shpërputhjes mes të zgjedhurve, të cilët janë më të shumtë në krahun e majtë, posaçërisht te Partia Socialiste e Zvicrës, dhe një pjese të elektoratit që anon drejt së djathtës, kjo tregon më së miri faktin se partitë e majta kanë qenë historikisht më të hapura ndaj përfshirjes së qytetarëve me origjinë të huaj në strukturat dhe listat e tyre zgjedhore. Fakti që në Zvicër kemi përfaqësues me prejardhje nga komuniteti shqiptar në pozita ekzekutive dhe legjislative, nga niveli federal deri te ai komunal, e përforcon këtë realitet. Në anën tjetër, te partitë e djathta vërehet një qasje më e rezervuar sa i përket përfshirjes së figurave me prejardhje migrante në nivelet përfaqësuese.

Cilat argumente sillni për të treguar se propozimet socialiste mbeten të vlefshme edhe për këta qytetarë?

Musa Kamenica: Në një kohë kur pabarazia ekonomike dhe sociale është në rritje, çmimet e jetesës po shtrenjtohen ditë pas dite dhe kriza e banimit është gjithnjë e më e theksuar, është e domosdoshme të vazhdohet me politika publike që ofrojnë zgjidhje konkrete për çështjen e banimit dhe mbështetje sociale për kategoritë në nevojë, si dhe që promovojnë një shoqëri gjithëpërfshirëse. Vetëm përmes këtyre politikave mund të forcojmë kohezionin social dhe të ndërtojmë një shoqëri më të barabartë.

Si e vlerësoni vitin tuaj presidencial? A ka ndonjë moment të veçantë apo ndonjë vendim të Këshillit që ju ka lënë mbresa dhe për të cilin ndiheni krenar?

Musa Kamenica: Tashmë kanë kaluar tetë muaj që nga zgjedhja ime në postin e Kryetarit të Këshillit Komunal dhe, ndonëse mandati im nuk ka përfunduar ende, nga këndvështrimi im mund të them se ky ka qenë një vit me një intensitet të jashtëzakonshëm të punimeve parlamentare. Përveç këtij angazhimi direkt në jetën politike, një ndër angazhimet e mia kryesore është gjithashtu përfaqësimi i qytetit në aktivitete të ndryshme shoqërore dhe institucionale.

Deri më tash kam përfaqësuar qytetin tonë dhe kam marrë fjalën në afër 100 aktivitete të ndryshme të organizuara nga shoqata dhe institucione të nivelit komunal, kantonal dhe federal. Sa i përket ndonjë momenti të veçantë gjatë gjithë rrugëtimit tim deri më tash, do të thosha se çdo seancë e parlamentit apo çdo aktivitet ka specifikën e vet të veçantë. Megjithatë, do të veçoja seancat e Këshillit ku, gjatë dy ditëve, objekt diskutimi ishte votimi i buxhetit prej 2.2 miliardë frangash për qytetin tonë.

Këto ishin seanca që kërkonin menaxhim me përpikëri të lartë. Një gabim i vogël do të mund të sillte si pasojë moskalimin e buxhetit, përgjegjësi që në fund do t’i faturohej kryetarit të Këshillit. Menaxhimi i këtij procesi ishte një moment i veçantë dhe, në përfundim, mënyra e drejtimit të këtyre seancave u përkrah nga grupet politike në parlament.

albinfo.ch: Lozana po përballet me sfida të mëdha (kriza e strehimit, kostoja e jetesës). Si kandidat për rizgjedhje, cili do të jetë prioriteti juaj absolut për legjislaturën e ardhshme?

Musa Kamenica: Sikurse e përmenda më lart, qyteti i Lozanës, por edhe qytete të tjera në Zvicër, po përballen me një krizë të apartamenteve të banimit dhe me koston e lartë të jetesës. Unë, si kandidat në këto zgjedhje, por edhe partia ime, si prioritet do të kemi arritjen, në pesë vitet e ardhshme të legjislaturës, të kuotës prej 30% të banesave në territorin e Lozanës me çmim të volitshëm për të gjitha kategoritë e popullsisë.

Një prioritet tjetër do të jetë gjithashtu ndërhyrja e pushtetit lokal përmes politikave publike në rritjen e fuqisë blerëse për qytetarët tanë. Shembull konkret do të jetë ulja e ndjeshme e çmimit të transportit publik në qytet. Objektivi është që çdo qytetar të udhëtojë me transport publik me vetëm 1.00 frangë në ditë. Ky vendim, përveçse kontribuon në rritjen e fuqisë blerëse të qytetarëve, kontribuon njëkohësisht në ndërtimin e një ambienti ekologjik dhe të shëndetshëm.

albinfo.ch: Abstenimi mbetet një sfidë. Si President i legjislativit, si planifikoni t’i bindni qytetarët me shtetësi të dyfishtë, të cilët ndihen larg politikës lokale, që t’u drejtohen kutive të votimit në mars?

Musa Kamenica: Për fat të keq, abstenimi mbetet një sfidë në të gjitha zgjedhjet që mbahen në Zvicër. Për mua, si President i legjislativit të këtij qyteti, një nga objektivat kryesorë, përveç atyre që lidhen me jetën politike të qytetit, ka qenë dhe është afrimi i qytetarëve me njohuritë mbi funksionimin e politikës komunale.

Që prej zgjedhjes sime Kryetar, çdo të shtunë nga ora 10:00 deri në 12:00, qytetarë të ndryshëm, shoqata dhe përfaqësues institucionesh kanë mundësinë të vizitojnë ndërtesën e parlamentit dhe të njihen nga afër me historinë dhe funksionimin e politikës në qytet, duke vizituar edhe sallat ku merren vendimet politike. Interesi për këto vizita është shumë i madh dhe besoj se ato do të kontribuojnë në një pjesëmarrje më të lartë në zgjedhjet e 8 marsit 2026.

Po ashtu, kam marrë pjesë në tri mbrëmje të organizuara nga Byroja e Lozanës për imigrantë, ku komunitete të ndryshme të huaja u informuan mbi procedurat e votimit në Zvicër, dhe veçanërisht në komunën tonë.

 

Lexoni po ashtu

Zgjedhjet e 8 marsit në Lozanë: «Më shumë pragmatizëm dhe më pak ideologji»

Lexoni po ashtu:

Zgjedhjet në Ecublens: Naser Iseni dhe Lorik Hyseni – Kur përvoja takohet me energjinë e re