Kosova

Top 5 shtetet investuese në Kosovë: Kush solli më shumë kapital në vitin 2025?

Pesë shtetet me investimet më të mëdha në Kosovë gjatë vitit 2025

Bëhet e ditur se pesë shtetet kryesore, si: Gjermania, Zvicra, Shqipëria, SHBA dhe Austria dominuan investimet në Kosovë gjatë vitit 2025, me një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin paraprak, transmeton albinfo.ch.

Investimet e huaja direkte (IHD) në Kosovë kanë shënuar një rritje të konsiderueshme gjatë vitit 2025, duke arritur në rreth 1.03 miliard euro. Krahasuar me vitin 2024, kjo përfaqëson një rritje prej 238.2 milionë euro, ose rreth 30 për qind më shumë, duke konfirmuar trendin pozitiv të interesit të investitorëve të huaj për ekonominë kosovare.

Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti GAP, pjesa më e madhe e këtyre investimeve vjen nga disa shtete kryesore evropiane dhe nga diaspora shqiptare. Në krye të listës renditet Gjermania, e cila gjatë vitit 2025 ka investuar rreth 268.7 milionë euro në Kosovë.

Pas Gjermanisë vjen Zvicra, me investime që arrijnë në 223.9 milionë euro, duke konfirmuar lidhjet e forta ekonomike mes dy vendeve dhe rolin e rëndësishëm të diasporës kosovare në këtë shtet.

Ndër investitorët më të mëdhenj renditet edhe Shqipëria, me rreth 103.6 milionë euro investime, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kontribuar me 92.5 milionë euro. Në vendin e pestë gjendet Austria, me 59.8 milionë euro investime në ekonomi.

Në total, vetëm Gjermania dhe Zvicra përbëjnë rreth 48 për qind të të gjitha investimeve të huaja direkte në Kosovë gjatë vitit 2025, duke dëshmuar ndikimin e madh që kanë këto dy vende në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërkohë, sa i përket shpërndarjes së investimeve sipas sektorëve ekonomikë, dominimi i sektorit të patundshmërisë është i qartë. Ky sektor ka tërhequr rreth 770 milionë euro, që përbën afërsisht 75 për qind të totalit të investimeve të huaja, transmeton tutje albinfo.ch.

Sektorët e tjerë kanë një pjesëmarrje dukshëm më të vogël. Aktivitetet financiare dhe të sigurimit kanë përfituar rreth 124.8 milionë euro (12%), ndërsa tregtia me shumicë dhe pakicë ka tërhequr 32.1 milionë euro (3%). Po ashtu, sektori i informimit dhe komunikimit ka marrë 26.2 milionë euro (3%), ndërsa furnizimi me energji elektrike, gaz dhe avull ka përfituar rreth 22.1 milionë euro (2%).

Këto të dhëna tregojnë se Kosova vazhdon të mbetet një destinacion tërheqës për investitorët e huaj. Megjithatë, ekspertët theksojnë se struktura aktuale e investimeve tregon një përqendrim të madh në sektorin e patundshmërisë, çka nënvizon nevojën për një diversifikim më të madh të investimeve në sektorë produktivë të ekonomisë. /Albinfo.ch