Kosova

Marigona Uka punësohet në Microsoft si Specialiste e Cloud dhe IA

Shqiptarja Marigona Uka nga Skenderaj nis punën në Microsoft si Specialiste e Cloud dhe Inteligjencës Artificiale

Me prejardhje nga Polaci i Skenderajt, Marigona Uka nis një kapitull të ri si Specialiste e Cloud & Inteligjencës Artificiale në gjigantin global të teknologjisë, transmeton albinfo.ch.

Në një kohë kur konkurrenca globale në fushën e teknologjisë është më e fortë se kurrë dhe suksesi kërkon përkushtim të jashtëzakonshëm, një emër nga Kosova po shënon një arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Marigona Uka ka arritur të sigurojë një pozitë të rëndësishme në gjigantin botëror të teknologjisë, Microsoft, duke u bërë ndër gratë e para nga vendi ynë që ngjitet në nivele të tilla në një kompani kaq prestigjioze.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Marigona, ku ka treguar emocionet për fillimin e rrugëtimit të saj të ri profesional.

“Sot, po filloj një kapitull të ri si Specialiste e Cloud & IA në Microsoft. Jam e emocionuar që po i bashkohem një ekipi kaq të talentuar dhe frymëzues… Pres me padurim të mësoj, të rritem dhe të kontribuoj në gjithçka që po ndërton ky ekip. Gëzuar fillimet e reja dhe sfidat përpara”, është shprehur ajo, transmetohet tutje albinfo.ch.

Ajo ka falënderuar gjithashtu bashkëpunëtorët dhe ekipin e integrimit për mbështetjen dhe pritjen e ngrohtë gjatë ditës së parë në këtë kompani.

Suksesi i Marigona Ukës konsiderohet një dëshmi e qartë e punës së palodhshme, disiplinës dhe këmbënguljes për të arritur majat e karrierës në një treg ndërkombëtar shumë kërkues./Albinfo.ch

 

Photo: Likendin (profile Marigona Uka)