Lajme

Mehas Alija: “I marrim seriozisht këto shqetësime, janë pjesë e debatit demokratik”

Kryetari i KMSHZ, hfz. Mehas Alija flet lidhur me zhvillimet rreth dy xhamive të shqiptarëve, që u bënë pjesë e një debati publik në Zvicër

Dy zhvillime që lidhen me besimtarët myslimanë shqiptarë të Zvicrës u bënë pjesë e debatit publik në Zvicër ditëve dhe javëve të fundit. Fillimisht ishte lajmi për projektin e shndërrimit në xhami të një objekti në qendër të fshatit Siebnen (Schwyz) pastaj erdhi publikimi i projektit për një xhami në St. Gallen, ndërtimi i së cilës do të kushtonte rreth 15 milionë franga. Të dy këto projekte ngjallën reagime të forta nga popullata në lokalitetet përkatëse dhe nga pjesë të spektrit politik. Për pasojë, tre deputetë të Parlamentit të Kantonit të St. Gallenit bënë një mocion (të cilit ju bashkuan edhe 7 të tjerë), ku shprehin shqetësimet e tyre lidhur me planin për ndërtimin e xhamisë në fjalë. Pak ditë më vonë, u publikua lajmi se janë mbledhur 5 mijë nënshkrime kundër xhamisë së planifikuar në Siebnen dhe, për pasojë, komuniteti lokal mysliman shqiptar është tërhequr nga planet e tij.

Këto dhe zhvillime të tjera të kësaj natyre kanë shqetësuar me të drejtë komunitetin shqiptar të Zvicrës. Për të marrë qëndrimin e organizatës që përfaqëson shqiptarët e besimit mysliman në Zvicër, rreth këtyre shqetësimeve, albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me kryetarin e KMSHZ-së (Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër), hfz. Mehas Alija, njëherësh imam në xhaminë El-Hidaje në St.Gallen.

Albinfo.ch: Kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet kur ndërtimi i xhamive  nga komuniteti shqiptar mysliman në Zvicër ka ngjallur debat në opinionin zviceran dhe atë shqiptar. Rasti më i freskët është ai i ndalimit të ndërtimit të xhamisë në Siebnen. Qytetarët kanë treguar refuzim për shndërrimin në xhami të një ndërtese me pozitë qendrore në fshat. Tani ndërtimi u pamundësua edhe me votat e qytetarëve. Cili është qëndrimi i juaj si komunitet rreth kësaj?

Mehas Alija: Ne e respektojmë vendimin e qytetarëve dhe proceset demokratike në Zvicër. Në të njëjtën kohë, raste të tilla tregojnë se projekte të kësaj natyre kërkojnë komunikim të hershëm dhe të vazhdueshëm me komunitetin lokal. Ne besojmë se përmes dialogut dhe transparencës mund të gjenden zgjidhje që marrin parasysh nevojat e të gjithëve. Si qytetarë të besimit islam duhet të jemi shembulli më i mirë i mirëkuptimin dhe angazhimit. Vendimin e kryesisë së xhamisë për t’u tërhequr me qëllim për të ruajtur unitetin e qytetarëve në Siebnen e vlerësojmë si një veprim të mirë dhe të drejtë.

(Foto: Niklas Thalmann)

Albinfo.ch: A ka Komuniteti që drejtoni ju, mbikëqyrje mbi planin ose projektin e ngritjes së kësaj xhamie? Ose, a është konsultuar nga iniciatorët?

Mehas Alija: Jo çdo iniciativë lokale zhvillohet drejtpërdrejt nën mbikëqyrjen tonë. Ne, në përgjithësi, më tepër kemi rol konsultativ dhe jo rrallë jemi pjesë strategjike e veprimtarisë së xhamive shqiptare këtu në Zvicër. Në raste të këtilla ka edhe bashkëpunime me organizatat kantonale dhe ato nacionale. Megjithatë, ne inkurajojmë fuqimisht që projekte të tilla të koordinohen me strukturat përfaqësuese lokale dhe të zhvillohen në konsultim me autoritetet dhe qytetarët e vendit ku veprojnë xhamitë. Kjo ndihmon në rritjen e besimit dhe shmangien e keqkuptimeve.

Albinfo.ch: Rasti i projektit të xhamisë “15 milionëshe” në St. Gallen po ashtu është shoqëruar me debat. Tashmë dhjetë deputetë të Parlamentit të Kantonit St. Gallen kanë nënshkruar mocionin kundër ndërtimit  të kësaj xhamie. Ata kanë shtruar plot 8 pyetje kritike rreth kësaj. A mund të jepni një përgjigje të përgjithshme për shqetësimet që kanë ngritur këta deputetë?

Mehas Alija: Ne i marrim seriozisht këto shqetësime dhe i shohim si pjesë të një debati të natyrshëm në një shoqëri demokratike. Është e rëndësishme që diskutimi të mbështetet në fakte. Projekti ynë është një zhvillim i natyrshëm i një bashkësie që është prej dekadash pjesë e kësaj shoqërie dhe synon të krijojë një hapësirë të përshtatshme për lutje dhe takime. Ne jemi të hapur për dialog me institucionet për të sqaruar çdo pyetje. Deputetët i kanë drejtuar disa pyetje Parlamentit të Kantonit dhe shpresojmë që përgjigjet të pasqyrojnë realitetin tonë si bashkësi muslimane shqiptarë në qytetin e St.Gallenit, pasi e tërë veprimtaria jonë, deri më tani, ka qenë në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të transparencës me institucionet vendore dhe bashkëqytetarët e qytetit të St.Gallen. Dua të theksoj se kostot e ndërtimit të xhamisë do të jenë shumë më të ulëta se sa doli në mediume, duke e pasur parasysh angazhimin dhe kontributin vullnetarë pa pagesë të firmave dhe qytetarëve në St.Gallen, rrethinë dhe më gjërë. Dëshmi për këtë kemi xhamitë e reja të ndërtuara nga themeli tashmë në Zvicër.

Albinfo.ch: E drejta e ushtrimit të lirë të besimit fetar është e garantuar në Zvicër. Shumica dërmuese e besimtarëve myslimanë shqiptarë e ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë korrekte dhe luajale. Po kështu shumica e zviceranëve e mirëkuptojnë nevojën e myslimanëve për të jetuar religjionin e tyre. Por në këto dy raste, kundërshtimi nga ana zvicerane ka qenë më masiv. A mendoni se është kaluar “pika e durimit” te njëri komunitet dhe nëse po, cili duhet të jetë veprimi për shtensionimin e situatës?

Mehas Alija: Nuk do ta përshkruaja situatën në këtë mënyrë. Më tepër e shoh si një moment që kërkon më shumë komunikim dhe mirëkuptim reciprok. Është me rëndësi që të gjitha palët të angazhohen në dialog konstruktiv, për të shmangur tensionet dhe për të forcuar bashkëjetesën. Dialogu aktiv, përfshirja qytetare dhe organizimi i aktiviteteve të ndryshme, siç janë dyert e hapura, ftesa ndaj strukturave të caktuara, organizimi i vizitave të shkollave dhe institucioneve, hapja ndaj pyetjeve të qytetarëve, do të ishin ndër format më të mira për t’i kapërcyer shqetësimet dhe paragjykimet.

Albinfo.ch: Në debatet që lindin zakonisht në rastet e ndërtimeve “problematike” të xhamive, sidomos kur përmenden shifra të larta të investimit, ngrihen  shqetësime mbi prejardhjen e parasë së investuar. Si do t`i adresonit shqetësimet e tilla?

Mehas Alja: Këto shqetësime i kemi edhe ne. Por, mund të themi qartë se nuk ka financim nga shtete apo institucione të huaja, sidomos nga vende arabe apo jashtë Zvicrës dhe nëse e lyp nevoja duhet të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me autoritetet për çdo verifikim të nevojshëm. Transparenca duhet të jetë thelbësore për ne. Projektet tona mbështeten kryesisht nga kontributet e anëtarëve të xhamive, nga aksionet humanitare që organizohen në salla, si dhe nga iniciativa online në rrjetet sociale.

Albinfo.ch: Lidhur me shumat e parave të grumbulluara për ndërtimin e xhamive të shqiptarëve në Zvicër ka një debat edhe në mesin e shqiptarëve. Zakonisht bëhen projektime krahasuese se ato para do të ishte më mirë të përdoreshin për qëllime të tjera, si ato arsimore, për shembull. Si do tu përgjigjeshit si kryetar i KMSHZ dhe si imam, vërejtjeve të tilla?

Mehas Alja: Ky është një debat i kuptueshëm dhe i vlefshëm. Ne besojmë se një komunitet i qëndrueshëm ka nevojë si për hapësira fetare, ashtu edhe për investime në arsim dhe integrim. Këto nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi, plotësojnë njëra-tjetrën dhe kontribuojnë në një jetë komunitare të shëndetshme. Xhamitë në diasporë luajnë një rol të shumëfishtë. Ato nuk janë vetëm faltore, por edhe shkolla dhe qendra integrimi. Gjithashtu, janë një pjesë vatani në mërgim.

Albinfo.ch: Një pyetje, jo patjetër aktuale: A është duke funksionuar programi në Universitetin e Friburgut për arsimimin e imamëve brenda sistemit arsimor zviceran? Dhe, në lidhje me këtë: A ka tashmë imamë shqiptarë që kanë mbaruar këtë program?

Mehas Alja: Në Zvicër ka zhvillime pozitive në drejtim të edukimit të imamëve brenda kontekstit lokal, përfshirë programe në Universitetin e Freiburgut. Këto iniciativa janë të rëndësishme për të forcuar një qasje të integruar dhe të përgjegjshme. Ky është një proces në zhvillim, i cili meriton mbështetje të mëtejshme. Më shumë në këtë drejtim është duke dhënë kontribut Qendra Zvicerane për Islam dhe Shoqëri, e cila organizon trajnime dhe kurse për imamët tanë të rinj dhe ata që tashmë kanë përvojë dhe dëshirojnë të angazhohen si kujdestarë shpirtërorë në spitale, burgje dhe qendra azili.

Albinfo.ch: Sa është i angazhuar KMSHZ në kultivimin e lidhjeve me komunitetet tjera fetare në Zvicër gjegjësisht në përpjekjet “ekumeniste” nëse mund të thuhet kështu, ose në dialogun mes religjioneve në Zvicër?

Mehas Alija: Ne i kushtojmë rëndësi të madhe dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit me komunitetet e tjera fetare. Xhamitë tona synojnë të jenë jo vetëm vende adhurimi, por edhe hapësira takimi dhe shkëmbimi. Ne jemi të hapur për bashkëpunim, diskutim dhe reflektim të përbashkët mbi sfidat dhe mundësitë në shoqërinë ku jetojmë dhe veprojmë. Një aktivitet i përbashkët janë vizitat që i shkëmbejmë me përfaqësuesit e manastirit në Einsiedeln, ku një vit ata vizitojnë një xhami shqiptare dhe trajtojmë ndonjë të temë me interes të përbashkët dhe vitin tjetër ua kthejmë vizitën me imamët tanë. Gjithashtu, ka edhe shumë aktivitete të tjera të veçanta ndërfetare midis komunitetit tonë dhe besimeve të tjera.

(Autor i fotografive: Niklas Thalmann)